Sot, në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, dhe në kuadër të Programit “Kuvendi për ty”, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali vizitoi Institutin e të Miturve dhe të Rinjve në Kavajë. Znj. Spiropali u prit nga Zëvendësdrejtorja e Përgjithshme e Burgjeve, Irma Bime, dhe Drejtorja e Institutit, Marinela Aliaj.

Një nga mësimet e vyera të Nënë Terezës është se dashuria u përket të gjithëve. Prandaj kujdesi e vëmendja për shëndetin, sigurinë, rehabilitimin dhe edukimin e fëmijëve në konflikt me ligjin duhet të jetë e vazhdueshme dhe nga të gjithë.

Instituti në Kavajë akomodon 21 të mitur dhe të rinj në konflikt me ligjin, të moshave 14-18 vjeç, për të cilët janë garantuar siguria, shërbimet shëndetësore, edukimi dhe infrastruktura e nevojshme. Për rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre zbatohen programe të ndryshme edukuese dhe rehabilituese në bashkëpunim me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, si Ministrinë e Arsimit, Këshillin e Europës, Unicef-in dhe organizata të tjera.

Fëmijët ndjekin rregullisht mësimin në ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm, si dhe kurse të formimit profesional dhe edukimit shëndetësor.

Kryetarja Spiropali u dhuroi fëmijëve disa libra nga biblioteka e Kuvendit, duke theksuar rëndësinë e edukimit, zhvillimit personal dhe përfshirjes në shoqëri.

Spiropali dha mesazhe shprese, force, mbrojtje për të miturit, riintegrimi dhe gjithëpërfshirjeje në shoqëri, qasje këto, të cilat sipas saj, duhet të reflektohen edhe në Kodin e ri Penal, në përputhje edhe me standardet e Bashkimit Europian.

“Ne tashmë jemi duke hartuar Kodin e ri Penal dhe në këtë proces duhet të mbajmë parasysh se qëllimi kryesor i sistemit penal për të gjithë qytetarët, por në mënyrë të veçantë për të miturit, nuk duhet të jetë thjesht ndëshkimi për shkeljet e kryera, por riintegrimi social dhe edukimi i tyre, duke krijuar mundësi për zhvillim pozitiv dhe për t’u dhënë shanse të miturve që kanë vuajtur dënime të përfshihen në shoqëri.”, nënvizoi znj. Spiropali.

Më poshtë deklarata për media e kryetares se Kuvendit, Elisa Spiropali, nga mjediset e Institutit për të Mitur dhe të Rritur në Kavajë.

Sot në një ditë shumë të rëndësishme, të shënuar për shqiptarët, në 5 Shtator ditën e Shënjtërimit të Nënë Terezës, kësaj shenjteje që më së shumti na përket si popull I saj, por që mesazhet e saj të humanizmit, të dhembshurisë i ka rrezatuar në të gjithë botën, vendosëm të ishim sot këtu në Institutin për të Miturit dhe të Rinjtë në Kavajë për të dhënë një mesazh që përtej çdo vështirësie, përtej çdo rënieje, përtej çdo konflikti, përtej çdo dëshpërimi ka shpresë dhe pashë me shumë kënaqësi që në këtë Institucion 21 të miturit dhe të rinjtë që kryejnë dënimin e tyre marrin të gjithë trajtimin shëndetësor që u duhet, edukimin dhe kujdesin për sigurinë e tyre.
Mesazhi i Nënë Terezës shkon përtej të gjitha dallimeve sociale, ekonomike, të prejardhjes dhe është një mesazh që udhëton deri tek të vetmuarit, udhëton deri tek të sëmurët, të izoluarit, tek njerëzit që vuajnë dënimin dhe të gjithë ata që kanë humbur shpresë dhe unë besoj se është detyrë e institucioneve që në këtë ditë më së shumti të reflektojnë, ti vizitojnë jo vetëm në spitale, në burgje apo në qendra të tilla të riedukimit, por edhe të bëjnë politikë më të mira për ta dhe konkretisht për të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin është me rëndësi parësore që si politikat penale, po ashtu dhe qasja riedukuese dhe e rehabilitimit të jetë një qasje parësore. Parandalim përpara se fëmijët të vijnë këtu , edukim shumë më i fortë dhe sigurisht këtu, një qasje që u jep atyre mundësi për të pasur një këndvështrim pozitiv mbi jetën, për tu edukuar më shumë, për të marrë kujdes shëndetësor dhe për të marrë kujdesin që u duhet, për t’u ndjerë që ata nuk janë vetëm, jo vetëm nga familjet e tyre, por dhe nga institucionet.
Këto ditë që ne diskutojmë Kodin e ri Penal duhet të mbajmë padiskutim në mendje që politikat penale dhe sistemi ynë penal nuk duhet të synojë ndërshkimin, por duhet të synojë mbi të gjitha dhe sidomos për të miturit, rehabilitimin dhe riredukimin, dhe parandalimin.
Është më rëndësi që e gjithë shoqëria të kuptojë që mesazhet jo vetëm të mëshirës, të shpresës, të mbështetjes, por edhe mesazhet për riintegrimin në shoqëri pa diskriminim, pa paragjykim të jenë parësore.
Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë gjithçka është e mundur, në bashkëpunim me institucionet e tjera që Kodi i ri Penal të reflektojë këtë qasje edhe në përputhje me standardet më të mira të BE, ku ne synojmë të jemi së shpejti.
Një mesazh për të gjithë shoqërinë, familjet, një mesazh për institucionet, një mesazh për deputetët edhe të rinjtë, që në politikat e tyre në përfaqësim të kenë parasysh këtë kategori, të mitur dhe të rinj që unë i pashë sot, bashkëbisedova me ta, janë me potencial të jashtëzakonshëm dhe kanë nevojë për një dorë, kanë nevojë për kujtim, kanë nevojë për institucione dhe kanë nevojë për të gjithë ne.
Gëzuar këtë ditë kaq të rëndësishme-Ditën e Shënjtërimit të Nënë Terezës dhe qoftë një bekim për të gjithë shqiptarët!