Vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur një tarifë deri në 100 mijë dollarë për vizat e punës, H-1B, një rritje deri në 50 herë nga niveli aktual, ka shkaktuar tronditje të madhe në SHBA dhe Indi. Edhe pse Shtëpia e Bardhë u përpoq të zbusë reagimet duke sqaruar se tarifa vlen vetëm për aplikantët e rinj dhe është një pagesë njëherëshe, pasojat afatgjata për tregun e punës, ekonominë dhe marrëdhëniet dypalëshe janë të pashmangshme.

Një goditje për programin që ndërtoi ura mes Indisë dhe SHBA-së

Prej më shumë se tre dekadash, programi H-1B ka qenë themeli i shkëmbimit të talenteve mes dy vendeve. Për Indinë, kjo vizë ishte rruga e artë për miliona programues, inxhinierë dhe mjekë që nga qytete të vogla u shndërruan në profesionistë globalë, duke sjellë pasuri për familjet e tyre dhe zhvillim për sektorë të tërë ekonomikë. Për SHBA-të, ajo ishte burim jetik i trurit, laboratorët, universitetet, spitalet dhe startup-et janë mbushur me talente indiane që kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm.

Sot, drejtues të kompanive gjigante si Google, Microsoft dhe IBM janë me origjinë indiane, ndërsa mjekët indianë përbëjnë rreth 6% të forcës së përgjithshme mjekësore amerikane.

Kush prek më shumë tarifa 100 mijë dollarëshe?

Meqë tarifa do të aplikohet vetëm për aplikantët e rinj, goditja nuk është e menjëhershme, por ka pasoja të thella afatmesme dhe afatgjata. Indianët janë shumica absolute e përfituesve të H-1B, mbi 70% të totalit, ndërsa kinezët janë të dytët me vetëm 12%. Në fushat e teknologjisë, prania e tyre është edhe më e dukshme: mbi 80% e punësimit në pozicione kompjuterike shkonte për qytetarë indianë edhe një dekadë më parë, dhe kjo prirje mbetet e pandryshuar.

Por ironia është se pasojat më të mëdha nuk do t’i ndiejë India, por vetë SHBA-të. Arsyeja është e thjeshtë: shumë kompani indiane si TCS dhe Infosys janë përgatitur prej kohësh duke ndërtuar staf vendas në SHBA ose duke zhvendosur shërbimet offshore.

Në të kundërt, spitalet amerikane, universitetet që varen nga studentët ndërkombëtarë dhe startup-et që nuk kanë fuqinë lobuese të Amazon apo Google, do të përballen me mungesa serioze. Në mjekësi, vetëm në vitin 2023 u dhanë mbi 8,200 viza H-1B për spitalet, duke plotësuar boshllëqet në sektorin e kujdesit shëndetësor.

Pasoja ekonomike dhe shoqërore në SHBA

Vendimi i Trump ka potencial të ndryshojë rrënjësisht tregun e punës në Amerikë.

Teknologjia– kompanitë do të detyrohen të zhvendosin projekte jashtë vendit dhe të mbështeten te punëtorët në distancë, duke reduktuar rolet onshore.

Mjekësia – mungesa e mjekëve të huaj, ku indianët kanë rol kyç, do të përkeqësojë krizën e kujdesit shëndetësor.

Universitetet – India është burimi më i madh i studentëve ndërkombëtarë në SHBA (1 në 4 studentë). Rritja e kostos së vizave do t’i shtyjë ata të zgjedhin vende të tjera, duke dëmtuar të ardhurat e universiteteve dhe prestigjin e tyre.

Startup-et dhe inovacioni – ndërmarrjet e vogla që nuk kanë mundësi për përjashtime do të përballen me vështirësi në rekrutimin e talenteve, duke dobësuar avantazhin konkurrues të SHBA-ve.

Sipas të dhënave, mbajtësit e vizave H-1B kontribuojnë rreth 86 miliardë dollarë çdo vit në ekonominë amerikane, përfshirë 24 miliardë në taksat federale dhe 11 miliardë në taksat lokale. Ky është një kontribut që vështirë se mund të zëvendësohet lehtë.

India – humbje afatshkurtër, por jo fatale

India, natyrisht, do të ndiejë tronditjen. Sektori i saj IT, që vlen 283 miliardë dollarë, mbështetet tek tregu amerikan për më shumë se gjysmën e të ardhurave. Megjithatë, përvoja e kompanive indiane për të zhvendosur shërbime offshore dhe për të krijuar staf vendas në SHBA, i jep industrisë indiane një fleksibilitet që e mbron nga një kolaps i menjëhershëm.

Në fakt, disa analistë parashikojnë se talentet indiane thjesht do të drejtohen drejt Europës, Kanadasë, Australisë apo Lindjes së Mesme, duke rritur konkurrencën e këtyre ekonomive me SHBA-të. Pra, India humb një kanal të fuqishëm drejt ëndrrës amerikane, por fiton alternativa të reja globale.

Një “test stresi” për ekonominë amerikane

Edhe pse vendimi i Trump mund të shfaqet si një tarifë mbi punëtorët e huaj, në fakt është më shumë një test stresi për vetë kompanitë dhe ekonominë amerikane. Për disa gjigantë të teknologjisë mund të ketë përjashtime ligjore, por startup-et, spitalet dhe universitetet nuk kanë këtë luks.

Siç thekson analisti Gil Guerra, “kërkesa për punonjës të rinj në teknologji dhe mjekësi në SHBA do të rritet, dhe mungesa e tyre edhe për disa vite mund të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe mirëqenien kombëtare.”

Vendimi i papritur për të vendosur një tarifë 100 mijë dollarëshe për vizat H-1B është një politikë simbolike e Trump për të treguar mbrojtjen e punëtorëve amerikanë. Por realiteti është i kundërt: SHBA-të rrezikojnë më shumë se India. Ndërsa India ka tregje të tjera për të kanalizuar talentet e saj, SHBA-të mund të humbasin kapitalin më të vlefshëm, talentin njerëzor, që për dekada ka qenë themeli i inovacionit, ekonomisë dhe liderizmit global amerikan.