Presidenti Donald Trump ka sugjeruar që Departamenti i Mbrojtjes të përdorë “qytetet e rrezikshme” si vende stërvitjeje për ushtrinë dhe Gardën Kombëtare, duke përmendur veçanërisht Çikagon si një qytet që do të kërkojë ndërhyrje të fuqishme ushtarake.
Në fjalimin e tij para gjeneralëve dhe admiralëve të lartë në Quantico të Virxhinias, Trump tha se i kishte propozuar shefit të Pentagonit, Pete Hegsethit që disa nga këto qytete të përdoren si baza stërvitjeje, por vuri në dukje se Çikago është “një qytet i madh me një guvernator të paaftë”.
Në lidhje me përplasjet gjatë protestave, Trump tha se nëse automjetet ushtarake ose të policisë goditen me tulla apo objekte të tjera, oficerët duhet të “bëjnë çfarë të duan”. “Dil nga ajo makinë dhe bëj çfarë të duash, sepse këta njerëz janë të rrezikshëm dhe tani mund të vdesësh nga kjo,” theksoi ai.
Gjithashtu, Trump njoftoi para gjeneralëve se administrata e tij po konsideron zgjerimin e ushtrisë. “Po mendojmë ta bëjmë ushtrinë më të madhe, sepse tani kemi mundësinë të përzgjedhim vetëm njerëzit më të kualifikuar, duke refuzuar ata me probleme fizike apo mendore. Të gjithë duan të jenë pjesë e ushtrisë sonë,” tha ai.
Presidenti nuk la pa kritikuar udhëheqësit e mëparshëm ushtarakë, duke thënë se ka larguar shumë prej tyre sepse nuk ishte i kënaqur me performancën e tyre. “I larguam shumë prej tyre, edhe pse nuk ishte e lehtë, sepse duam vetëm më të mirët,” u shpreh Trump.
Ai gjithashtu vuri në dukje se përpara zgjedhjes së tij, ushtria kishte vështirësi me rekrutimin, ndërsa tani situata është përmirësuar ndjeshëm. “Dallimi është i madh nga disa vjet më parë, kur po flisja me komandantët dhe ata mezi prisnin të merrnin ushtarë, por nuk mundnin. Ky ndryshim është rezultat i zgjedhjeve presidenciale,” përfundoi Trump.