Grupi i këshilltarëve të Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak Tiranë ka depozituar një kërkesë zyrtare për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Në relacionin e paraqitur, theksohet se prej 10 shkurtit 2025, kryeqyteti ndodhet pa drejtues të zgjedhur për shkak të proceseve penale ndaj Veliajt, duke e bërë të domosdoshme nisjen e procedurave për zëvendësimin e tij.

Sipas projektvendimit të përgatitur nga Këshilli Bashkiak, kërkesa mbështetet në Ligjin nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e kryetarëve të bashkive në rast mosparaqitjeje në detyrë për periudhë 3-mujore.