Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në platformën e tij Truth Social, ka publikuar një foto të përbashkët të presidentit rus Vladimir Putin, liderit kinez Xi Jinping dhe kryeministrit indian Narendra Modi. Takimi u realizua në margjinatin e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), të mbajtur në Tianjin të Kinës.
Në shënimin që shoqëronte foton, Trump shprehu shqetësimin e tij për rreshtimin e dy prej fuqive më të mëdha të botës, Rusisë dhe Indisë, më pranë Kinës.
“Duket sikur i kemi humbur Indinë dhe Rusinë nga Kina më e thellë dhe më e errët. Uroj që të kenë një të ardhme të gjatë dhe të begatë së bashku!”, shkroi ai.
Takimi trepalësh ndërmjet Putin, Xi dhe Modi-t tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare, me shumë analistë që e përshkruan atë si një moment kyç në riorientimin gjeopolitik global. Disa komentues vunë në dukje se ky afrim i ri mes tri fuqive aziatike përbën një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit dhe sinjalizon dobësimin e ndikimit të SHBA-së dhe aleatëve të saj në skenën globale.
Samiti i SCO-së mblodhi së bashku liderë nga mbi 20 shtete anëtare, vëzhguese dhe partnere, si dhe përfaqësues nga 10 organizata ndërkombëtare, duke forcuar profilin diplomatik të kësaj platforme të lindur si një kundërpeshë ndaj institucioneve perëndimore.