Shtetet e Bashkuara do të deportojnë 120 iranianë në Iran gjatë dy ditëve të ardhshme, raportuan mediat shtetërore të Iranit, duke cituar një zyrtar të Ministrisë së Jashtme.
Shumica e iranianëve hynë në SHBA “ilegalisht” nëpërmjet Meksikës, tha për agjencinë e lajmeve Tasnim kreu i çështjeve konsullore në Ministrinë e Jashtme të Iranit, Hossein Noushabadi, duke shtuar se të deportuarit do të mbërrijnë në Iran përmes Katarit.
Zyrtari tha se qeveria iraniane i ka kërkuar qeverisë amerikane të “jetë e ndjeshme në respektimin e të drejtave të emigrantëve iranianë”, ndërsa Irani ka një “zyrë për mbrojtjen e interesave” në ambasadën pakistaneze në Uashington, DC.
Gazeta New York Times raportoi për herë të parë se administrata Trump do të deportojë “rreth 100” iranianë pas arritjes së një marrëveshjeje midis qeverive të SHBA-së dhe Iranit. Gazeta citoi dy zyrtarë të lartë iranianë të përfshirë në negociata dhe një zyrtar amerikan të njohur me planet.
Grupi është midis 400 iranianëve që “kryesisht kanë hyrë në SHBA ilegalisht” dhe janë planifikuar për deportim, tha Noushabadi. Zyrtari pohoi se disa nga ata që po deportohen kanë leje qëndrimi të vlefshme në SHBA, ndërsa diskutimi për kthimin e tzre ka qenë “në axhendë për disa muaj”.
“Mënyra se si hynë në Shtetet e Bashkuara është një çështje tjetër, por ata u larguan ligjërisht nga Irani. Nuk ka pengesë për kthim në atdheun e tyre, pasi Irani i mbështet qytetarët e vet”, deklaroi kreu i çështjeve konsullore.