Victoria Beckham rrëfehet si kurrë më parë në dokumentarin e ri që vjen në Netflix më 9 tetor.
Ylli i famshëm i Spice Girls, stilistja e njohur, tregon për herë të parë sfidat në jetën personale dhe karrierë, teksa shpërthyen në lot përpara kamerave.

Në serinë e prodhuar nga krijuesit e dokumentarit “Beckham” dhe “Becoming” të Michelle Obama-s, 51-vjeçarja zbulon se marka e saj e modës ka qenë për vite me radhë me humbje financiare. Madje, bashkëshorti i saj David Beckham pranon se problemet ekonomike e kishin futur në panik.

Por nuk mungojnë as momentet gazmore. Në një pjesë të dokumentarit, Victoria pranon me humor se “nuk di të bëjë as një tost me djathë dhe proshutë”, ndërsa bën autoironi duke thënë se duket si një “lopë e mërzitur” në publik.
Pamjet ekskluzive përfshijnë intervista me miqtë e saj të famshëm si Tom Ford dhe Eva Longoria, ndërsa të katër fëmijët e familjes Beckham janë të pranishëm në dokumentar.
David Beckham pati sukses të madh me dokumentarin e tij në Netflix vitin e kaluar, ku Victoria u bë virale me batutat e saj thumbuese. Tashmë, është radha e saj për të ndarë të vërtetën me botën.