Një shtetase kineze është shpallur fajtore në Mbretërinë e Bashkuar për përfshirje në një nga mashtrimet më të mëdha me kriptomonedha të regjistruara ndonjëherë.
Sipas Policisë Metropolitane, Qian udhëhoqi midis viteve 2014 dhe 2017 një mashtrim masiv në Kinë, duke mashtruar më shumë se 128 mijë persona dhe duke fshehur të ardhurat e paligjshme në kriptovalutë.
Pas arratisjes nga Kina me dokumente të falsifikuara, Qian hyri në Mbretërinë e Bashkuar ku nisi përpjekjet për të pastruar paratë përmes investimeve në prona luksoze dhe aktivitete të tjera financiare. Hetimi i nisur nga një informacion për transferim të paligjshëm të aseteve u kthye në një operacion kompleks që përfshiu bashkëpunim ndërkombëtar dhe hetim të rrjetit global të pastrimit të parave. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse paratë do t’u rikthehen viktimave, pasi disa raporte sugjerojnë se qeveria britanike mund të kërkojë t’i mbajë asetet e sekuestruara.
Në këtë aferë ishte e përfshirë edhe 44-vjeçarja Jian Wen, një punonjëse në një restorant, e cila ndihmoi në pastrimin e aseteve dhe më pas jetoi në një shtëpi luksoze në veri të Londrës. Wen u dënua në vitin 2024 me gjashtë vjet e tetë muaj burg, pasi u zbulua se kishte blerë prona edhe në Dubai me vlerë mbi 500,000 paund.
Sipas raportimeve të revistës kineze Lifeweek, shumica e viktimave ishin investitorë të moshës mes 50-75 vjeç, përfshirë biznesmenë, punonjës bankash. Ata u mashtruan përmes skemave të promovuara nga Qian, e cila njihej si “Perëndesha e Pasurisë”.
“Bitcoin dhe kriptovalutat po përdoren gjithnjë e më shumë nga rrjete kriminale për të fshehur gjurmët e të ardhurave të paligjshme”, tha zëvendëskryeprokurori Robin Weyell, duke theksuar se ky është rasti më i madh i sekuestrimit të kriptomonedhave në Mbretërinë e Bashkuar.
Qian po mbahet në paraburgim dhe pritet të përballet me dënimin përfundimtar pas gjyqeve të tjera që lidhen me rrjetin kriminal.
Ministri i Sigurisë, Dan Jarvis, deklaroi se rasti dërgon një sinjal të qartë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të tolerojë pastrimin e parave dhe krimin e organizuar. “Pastrimi i parave minon sistemin tonë ekonomik dhe fuqizon grupet kriminale”, tha ai.