Ish-Sekretarja e Shtetit dhe kandidatja për Presidente e SHBA, Hillary Clinton, ka shprehur shqetësimin e saj mbi reagimin e udhëheqësve amerikanë pas vrasjes së personazhit konservator, Charlie Kirk, duke e cilësuar këtë si një “model autoritar”.

Në një intervistë të parë televizive që nga zgjedhjet e vitit 2024, Clinton theksoi se kjo ngjarje po shfrytëzohet për të sulmuar kundërshtarët politikë, duke theksuar se udhëheqësit në kohë të tilla duhet të përpiqen të bashkojnë popullin, por, sipas saj, po ndodhin përçarje më të mëdha. Në intervistën e saj, Clinton e cilësoi pezullimin e shfaqjes së Jimmy Kimmel si një “shembull shumë të qartë” të censurës shtetërore, duke aluduar se ky ishte një veprim që nuk kontribuoi në unitetin e kombit, por e përkeqësoi situatën.

“Përkundër dhimbjes dhe trishtimit që një ngjarje e tillë shkakton, liderët duhet të mbështesin unitetin dhe të shmangin përçarjet që po thellohen”, tha ajo. Komentet e Hillary Clinton vijnë në një periudhë të tensionuar politike në SHBA, ku përplasjet ideologjike janë bërë më të dukshme pas zgjedhjeve të vitit 2024.