Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Rusia mban një qëndrim të palëkundur për integritetin territorial të Serbisë dhe mbështet Beogradin në çështjen e Kosovës. Këto komente ai i bëri pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, të zhvilluar të martën, më 2 shtator, në Pekin.

Vuçiç tha për mediat se bisedimet me Putinin ishin “shumë të hapura, të sinqerta dhe të rëndësishme”, duke theksuar se u trajtuan të gjitha temat me interes të ndërsjellë.
Një nga çështjet kryesore ishte energjia. Presidenti serb theksoi se Serbia ka nevojë gjithnjë e më të madhe për furnizime me gaz, ku pjesa më e madhe vjen nga Rusia dhe sasi më të vogla nga Azerbajxhani.

Ai kujtoi se Serbia dhe Rusia po punojnë për zgjerimin e kapaciteteve të ruajtjes në Banatski Dvor dhe se një pjesë e gazit do të ruhet në Hungari për këtë dimër, për të garantuar prodhimin e energjisë elektrike në ditët më të ftohta.