Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje vendeve evropiane të nisin krijimin e një “ombrelle mbrojtëse ajrore”, pasi Rusia bombardoi sërish qytetin ukrainas Zaporizhia, duke plagosur të paktën 13 persona, mes tyre dy fëmijë.

Në një postim në rrjetet sociale më 16 shtator, Zelensky tha se raketat ruse “goditën qëllimisht për të terrorizuar popullin tonë”, duke dëmtuar “shumë ndërtesa banimi”. Ai shtoi se që nga fillimi i shtatorit, Moska ka lëshuar mbi 3,500 dronë dhe gati 190 raketa, si dhe mbi 2,500 bomba ajrore, kundër objektivave brenda Ukrainës dhe ka kryer “provokime ndaj partnerëve tanë”.

“Kjo është pikërisht ajo lloj terrori ajror kundër të cilit Ukraina kërkon mbrojtje të përbashkët – në mënyrë që askush të mos detyrohet të ngrejë me nxitim avionë luftarakë dhe të ndjejë presionin e Rusisë në kufijtë e tij”, shkroi Zelensky.

“Tani është koha të zbatojmë mbrojtjen e përbashkët të qiellit evropian me një sistem të shumëfishtë mbrojtjeje ajrore. Të gjitha teknologjitë për këtë ekzistojnë tashmë. Ajo që nevojitet janë investime dhe vendosmëri – veprime të forta dhe vendime nga të gjithë partnerët tanë”.

Çështja e neutralizimit të dronëve rusë, të cilët janë shtuar ndjeshëm gjatë më shumë se tre viteve të luftës, ka marrë vëmendje të re pasi mbi një duzinë dronësh rusë depërtuan javën e kaluar në Poloni, ndërsa një tjetër shkelje e hapësirës ajrore të NATO-s u regjistrua në Rumani.