Paralajmërimi i presidentit amerikan Donald Trump se do të kthejë Departamentin e Luftës është intepretuar si shenjë kërcënimi dhe provokimi në Pekin. Gazeta “Global Times”, që është e afiluar me qeverinë kineze shkruan sot në një editorial se vetë ndryshimi dhe komenti që e ka shoqëruar janë shenja të qarta tensioni dhe ndryshimi politik.

Duke cituar Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth që është shprehur se “ne duhet të kalojmë në sulm dhe jo vetëm në mbrojtje”, gazeta shënon ndër të tjera se:

“SHBA po tenton logjikën e doktrinës “Monroe” të shekullit të 19-të në shekullin e 21-të, duke ruajtur superioritetin ushtarak në kontinentin amerikan, në mënyrë që të zgjerohet në zonat përqark dhe mos të lejojë forca të jashtme të ndërhyjnë në çështjet e rajonit. Kjo qasje konfirmon pranimin nga ShBA të rënies së fuqisë së vet globale dhe kufizimin strategjik si pasojë”. Më me rëndësi, palës kineze nuk i ka shpëtuar qëllimi i draftit për riemërtim: prioritet do të jetë mbrojtja e vendit dhe Hemisfera Perëndimore:

“SHBA ka rritur ndjeshëm dislokimet ushtarake pranë Venezuelës dhe ka zëra se ushtria amerikane po përgatitet të hyjë në Meksikë për të luftuar kartelet e drogës”, vijon gazeta kineze që e interpreton këtë si afirmim të doktrinës “Monroe”, në thelb të të cilit është intervecionizmi:

“Që nga deklarimi i Pavarësisë më 4 korrik 1776, ShBA ka qenë e paangazhuar në luftë për vetëm 20 vjet…Nga fundi i Luftës II Botërore dhe deri në vitin 2001, nga 248 konflikte të armatosura në 153 rajone të botës, 201 u inicuan nga ShBA. Historia ka provuar në raste të panumërta se thjesht superioriteti ushtarak dhe politik nuk mundet të fuqizojnë me të vërtetë një vend…”, vë në dukje gazeta.

Në mëyrë simbolike ky ndryshim drastik përkon me 80 vjetorin e fundit të LIIB për celëbrimin e të cilit pala kineze fton në festime të përbashkëta për ta mbyllur editorialin me një apel me natyrë ultimative:

“Nëse SHBA përdor emrin e Departamentit të Luftës për të shtrënguar ushtarakisht fqinjët apo të nisë direkt një luftë, ajo do të kundërshtohet me vendosmëri nga e gjithë bota”.