Nga ROLAND QAFOKU

Sot është 130 vjetori i lindjes së Ahmet Zogut, politikanit që dominoi Shqipërinë në të gjitha drejtimet për rreth 20 vjet. Jetoi 65 vjet, 5 muaj e 29 ditë. Ishte ministër i Brendshëm për 9 muaj e 16 ditë; president i Republikës për 3 vjet, 7 muaj e 1 ditë dhe mbret për 10 vjet, 7 muaj e 6 ditë, Ahmet Zogu shkroi epokën e vet që nga viti 1920 deri në 1939. Ai ishte Ahmet Zogu i mirë apo i keq? Dhe… si ishte bilanci për ato që ka lënë pas? Ne nuk mund ta vizatojmë figuren e tij vetëm me dy ngjyra, të bardhën, apo të zezën. Nga studimet që kam bërë, mbështetur edhe në botimet e mia, kam nxjerrë në mënyrë të përmbledhur 10 cilësi pozitive dhe 10 cilësi negative të tij. Lexojini dhe mos komentoni si tifoza të partisë, por me atë që ai na la trashëgim dhe gjurmët që la në histori!

1. POZITIV: Ahmet Zogu është lideri politik që ka meritën si askush tjetër që e shndërroi Shqipërinë nga një vend në anarki në një shtet të stabilizuar me institucione dhe ligje. Nëse Shqipëra ka 28 nëntorin 1912 si ditën e themelimit të shtetit, ardhja në pushtet e Zogut është dita e themelimit të shtetit modern shqiptar.

NEGATIV: Për të arritur qëllimet e tij ai nuk përdori metoda demokratike. Zgjedhja e tij si president i Republikës në parlament në vitin 1925 u bë nën mbikëqyrjen e armëve të një detashmenti rus që kishin marrë urdhër të hapnin zjarr nëse nuk do merrte votat e duhura. Shpallja si Mbret është një akt akoma më I diskutueshëm sin ë asoektin politik dhe juridik.

2. POZITIV. Ahmet Zogu futet në histori si një politikan që ndërtoi shteti modern shqiptar. Ai ndikoi që Shqipëria të bënte një hop cilësor në të gjithe fushat e jetës, duke shtruar bazën e një shteti me parime perëndimore.

NEGATIV. Ahmet Zogu ishte diktator dhe ky përcaktim nuk vihet në diskutim. Por, ndoshta mënyra se si e reformoi dhe transfomoi shtetin shqiptar në një shoqëri arkaike nuk mund të bëhej në ndonjë mënyrë tjetër.

3. POZITIV: Ahmet Zogu ishte lideri politik që kishte vizionin si askush tjetër politikan shqiptar i shekullit 20-të për të ardhmen e vendit. Ai kishte aftësi të parashikonte se çdo ndodhte për 5, 10 apo edhe më shumë vjet në Shqipëri, në vartësi të projekteve të tij politike por edhe tw zhvillimeve ndërkombëtare.

NEGATIV: Ahmet Zogu e vuri në dispozicion të vetes të gjithë aparatin shtetëror.
Pushteti, financat, policia dhe drejtësia ishin në funksion të tij dhe familjes së tij. Ahmet Zogu bënte një jetë përrallore, kur ndërkohë 90 për qind e popullisë jetonte në skamje dhe injorancë të thellë.

4. POZITIV: Ahmet Zogu kishte aftësinë të afronte rreth vetes personalitetet më të aftë dhe të zotë në profesione. Ai bashkëpunoi me figurat më të rëndësishme të kohës, të spikatur në disa fusha që nga Faik Konica, Mehdi Frashsëri, Marash Ivanaj, e të tjerë që edhe pse ishin kritikë ndaj tij, ai i bëri pjesë të kabinetit por edhe të pushtetit që ai kishte.

NEGATIV: Ahmet Zogu eliminoi shumë nga armiqtë e tij politikë që i rrezikonin pushtetin. Rezulton që ai të ketë inspiruar, mbështetur dhe marrë pjesë në vrasjen e Bajram Currit, Avni Rustemit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, e deri te kunati i tij, Ceno Bej Kryeziu.

5. POZITIV: Ahmet Zogu fitoi simpatinë e shumë personaliteteve, familjeve dhe fiseve shqiptare që kishin autoritet në zonat ku jetonin. Sapo u zgjodh president më 31 janar 1925 ai u kërkoi atyre besën për ta mbështetur të bëjë shtet në një pritje publike në Fushën e Shallvareve në Tiranë në një akt të paprecedent si për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Gati-gati ngjante si një lloj besëlidhje që krijoi Skënderbeu në 1444 në Lezhë me përfaqësuesit e të gjithë principatave.

NEGATIV: Ahmet Zogu krijonte raporte personale me personazhe të veçanë dhe jo instituconale. Kjo bëri që ai të krijonte raporte për interesa që në dukje ishin miq, por në të njëtën kohë ai krijoi edhe shumë armiq. Janë të panumërta tentativat që i janë bërë për ta eliminuar nga armiq poltikë dhe personalë. Mbetet lapidare shprehja e studuesit amerikan Bernd Fischer: Të ishte roje i mbretit Zog, ishte njësoj sikur të ishte roje i një fabrike baruti, rreth e rrotull së cilës shkreptimin rrufe.

6. POZITIV: Ishte pozitiv fakti që pasi i shërbeu Jugosllavisë, Ahmet Zogu i ktheu krahët duke i thënë stop një raporti në dëm të vendit tonë. Shkëputja që i bëri ndaj fqinjit verior që kishte synime ekspasioniste ndaj vendit tonë, është një nga momentet më pozitive që duhet veçuar në karrierën e tij.

NEGATIV: Raporti i ngushtë që krijoi Ahmet Zogu me Jugosllavinë ishte një nga pikat më të errta në karrierën e tij politike. Ai u strehua për gjashtë muaj në Beograd pas kryengritjes së qershorit 1924 të drejtuar nga Fan Noli. Dhe pas sponsorizimit serb ai u kthye në pushtet me armë duke larguar Nolin. Në këtë kontekst është mëse e mjaftueshme të përmendim vetëm një fakt: në këtë kundërkryengritje Ahmet Zogu kishte në dispozicion një batalion me mercenarë rusë që e shoqëruan deri në Tiranë dhe qendruan madje edhe pas fitores dhe rimarrjes së pushtetit.

7. POZITIV: Ahmet Zogu u bë një figurë e rëndësishme politike rajonale. Ai ishte një aktor shumë i rëndësishëm në Ballkan por edhe shumë i njohur për diplomacinë evropiane dhe botërore. Kjo bëri që Shqipëria të krijonte një lloj peshe të konsiderueshme.

NEGATIV: Ahmet Zogu nuk arriti të shkëputej nga kthetrat e Italisë me të cilën u duk se krijoi raporte të mira, por u bë vasal i saj. Ndonëse ishte shumë e vështirë për Shqipërinë e vogël, nën pushtetin e Zogut Shqipëria po gllabërohej dalëngadalë ekonomikisht nga vendi fqinj.

8. POZITIV. Ahmet Zogu krijoi lidhje dhe mbajti raporte shumë të mira me SHBA. Ai ishe mik personal i çdo ministri amerikan në Tiranë dhe të gjitha impresionet pozitive që ata kishin ndaj Zogut ia përcillin Departamentit të Shtetit. Falë këtij raporti, në vitin 1936 presidenti i SHBA, Franklin Delano Roosevelt, ftoi zyrtarisht Zogin në një pritje të veçantë në Shtëpinë e Bardhë, duke u bërë i pari personalitet shqiptar që ftohej nga një president amerikan.

NEGATIV: Ahmet Zogu tregoi se pushtetin e kishte më të rëndësishëm se çdo gjë në jetën e tij. Në mënyrën më skandaloze, edhe pse e kishte konfirmuar vizitën, në momentin e fundit, ai vendosi të mos shkonte në pritjen e afruar nga presidenti amerikan Roosevelt, me justifikimin absurd “punët e mëdha nuk i jepnin mundësi”. Në fakt Zogu nuk shkoi se druhej ndaj ndonjë komploti në Shqipëri që mund ta largonte nga pushteti.

9. POZITIV: Ahmet Zogu ka meritën që vendosi jo vetëm shtetin ligjor në Shqipëri por aplikoi legjislacionin penal dhe civil perëndimor në drejtësinë dhe jetën sociale shqiptare. Ai ideoi dhe zbatoi themelimin e shtetit të së drejtës, disa të drejta të individit, statusin e familjes si dhe modernizoi jetën në disa aspekte. Heqja me ligj e mbulesës së grave muslimane është një revolucion më vete.

NEGATIV. Shteti që ai ndërtoi megjithatë kishte shumë kufizime në rapot me të drejtat e njeriut. Gjatë pushtetit të Ahmet Zogut u dhanë shumë vendime të padrejta, qoftë politike por edhe civile ndaj personave të pafajshëm.

10. POZITIV. Gatishmëria e Ahmet Zogut për të bërë zgjidhje pozitive për situatën ku u gjend Shqipëria në prill të vitit 1939 është për tu vlerësuar. Ai u përpoq të kundërshtonte Italinë dhe Benito Mussolini-n që përbënte fuqinë e dytë më të madhe ushtarake pas Gjermanisë edhe pse nuk ia doli.

NEGATIV. Ahmet Zogu bëri gabimin fatal, atë të largimit nga Shqipëria më 6 prill 1939. Akoma edhe më fatal ishte fatki që Zogu nuk iu përgjigj ftesës së minstrit amerikan në Tiranë Hugh Grant, i cili i ofroi pasaportë amerikane Geraldinës dhe të birit Leka të sapolindur për tu strehuar në godinën e ambasadës. Nëse do kishte pranuar historia do shkruhej ndryshe. Por nëse Zogu do qendnrote në Shqipëri dhe do organizonte rezistencën ai do merrte benefite të jashtëzakonshme.