Qeveria e Afrikës së Jugut ka kritikuar vendimin e SHBA-ve për të prioritetizuar aplikimet për azil nga afrikano-jugorët e bardhë, duke deklaruar se pretendimet për një “gjenocid të të bardhëve” janë gjerësisht të diskredituara dhe se mungojnë prova të besueshme. Autoritetet e Afrikës së Jugut theksuan një letër të hapur të publikuar këtë javë nga anëtarë të komunitetit afrikan, të cilët hedhin poshtë këtë narrativë, ndërsa disa nënshkrues e kanë quajtur programin e zhvendosjes “racist”.
Qeveria shtoi se numri i kufizuar i afrikanëve të bardhë që kanë shprehur interes për t’u zhvendosur në SHBA tregon se ata nuk po përndiqen. Të enjten, administrata e presidentit amerikan Donald Trump shpalli kufirin më të ulët vjetor të refugjatëve në historinë e vendit, vetëm 7 mijë e 500 persona.
Shifrat e sakta të numrit të afrikano-jugorëve të bardhë që janë pranuar përmes këtij programi të SHBA-ve nuk janë bërë publike. Statistikat më të fundit të krimit në Afrikën e Jugut nuk tregojnë se personat e bardhë janë viktima më të shpeshta të krimeve të dhunshme krahasuar me grupet e tjera racore.
Më herët gjatë këtij viti, presidenti Trump ofroi status refugjati për afrikano-jugorët të cilët janë kryesisht pasardhës të kolonëve holandezë dhe francezë, pasi presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, nënshkroi një ligj që i lejon qeverisë të konfiskojë tokë pa kompensim në raste të rralla. Shumica e tokave private bujqësore zotërohen nga afrikano-jugorët e bardhë, të cilët përbëjnë pak më shumë se 7% të popullsisë së vendit.




















