Në vitin 2027, iPhone do të mbushë 20 vjet që nga prezantimi i tij i parë, dhe duket se Apple po planifikon ta shënojë këtë moment me një qasje tërësisht të re. Kompania pritet të sjellë një ridizajnim të guximshëm dhe të ndryshojë mënyrën e emërtimit të modeleve të saj.

Sipas analizave të studiuesit të lartë të Omdia, Heo Moo-yeol, Apple mund të anashkalojë një numër në linjën e saj duke kaluar direkt nga iPhone 19 te iPhone 20 për të përputhur këtë hap me përvjetorin e rëndësishëm. Ky version i ardhshëm përvijohet si një tjetër moment kthese për dizajnin e iPhone, me raporte që flasin për një ekran pa korniza dhe një strukturë që, falë formave të pjerrëta, do të krijojë pamjen e një pajisjeje tërësisht prej xhami kur shihet nga përpara.

Ndërkohë, raportet sugjerojnë se Apple mund të mos lansojë një iPhone 18 tradicional vitin e ardhshëm. Në vend të tij, kompania pritet të ofrojë modelet iPhone Air dhe iPhone Pro, së bashku me versionin e shumëpërfolur iPhone Fold.

Një vit më pas, në 2027, Apple mund të sjellë serinë iPhone 20, që do të përfshijë modelin standard në gjysmën e parë të vitit, së bashku me një variant më të përballueshëm të quajtur iPhone 18e. Më pas, gjatë vjeshtës, pritet të prezantohen modelet e ridizajnuara iPhone 20 Pro, iPhone 20 Air dhe Fold 2, në një ngjarje të veçantë që do të theksojë drejtimin e ri estetik dhe teknologjik të kompanisë.