Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në Konferencën “30 vite Partneritet dhe Progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, theksoi rolin vendimtar që ka pasur Komisioni i Venecias në forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë kushtetuese në Shqipëri gjatë tri dekadave të fundit.
Balla nënvizoi se mbështetja e Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias ka qenë jetike për ndërtimin institucional të vendit, duke përmendur disa raste ku opinioni i Komisionit ka ndihmuar në zgjidhjen e krizave politike dhe institucionale, si: Opinionin mbi dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, ku mendimi i Komisionit shmangu një ngërç politik; Mandatet e gjyqtarëve kushtetues, që mundësuan rikthimin e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese; Opinionin mbi ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 për zgjedhjet dhe rregullat e listave zgjedhore; Opinionin mbi zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut, që ka qenë thelbësor për vijimin e reformës në drejtësi; Opinionin mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ndodhet përballë dy reformave madhore, asaj zgjedhore dhe territoriale, për të cilat për shkak të debateve me opozitën mund të kërkohet sërish opinioni i Komisionit të Venecias. Ai vuri në dukje rëndësinë e “Checklist-ës së Shtetit të së Drejtës” të Komisionit të Venecias, si një udhëzues praktik për të vlerësuar përputhshmërinë e ligjeve me parimet themelore të shtetit të së drejtës, duke ftuar institucionet shqiptare ta përdorin më gjerësisht në punën e tyre.
Fjala e plotë:
Kjo konferencë që përkon me dy përvjetorë të rëndësishëm:
o 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës
o dhe 35-vjetorin e krijimit të Komisionit të Venecias.
Këto dy përvjetorë janë dëshmi e një rruge përparimi dhe ndërtimi institucional të vendit tonë, ku mbështetja e Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias ka qenë thelbësore.
Ju falënderoj për mundësinë për të ndarë disa reflektime mbi rolin kyç të drejtësisë kushtetuese në garantimin e demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës.
Drejtësia Kushtetuese dhe Roli i Komisionit të Venecias.
Në Shqipëri, çështjet e drejtësisë kushtetuese kanë qenë shpesh arsye për t’i kërkuar mendim Komisionit të Venecias, dhe çdo herë kemi gjetur zgjidhje profesionale, të balancuara dhe të drejta, që na kanë ndihmuar të ecim përpara si demokraci funksionale.
Disa prej këtyre rasteve përfshijnë:
Opinionin mbi dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 nga Presidenti asokohe i Republikës, një rast që kërkonte sqarim të balancave institucionale;
Në atë rast përballeshim me bojkot masiv dhe heqje dorë në bllok nga mandatet prej deputetëve të opozitës, anulim te zgjedhjeve nga Presidenti
Opinioni i Venecias na qartësoi mbi standardet dhe vijuam proceset demokratike në Kuvend e në zgjedhje duke shmangur një ngërç jo të lehtë.
Opinionin për mandatet dhe emërimin e gjyqtarëve kushtetues, që ndihmoi në rikthimin e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese dhe që besoj shërbeu dhe në vendimmarrjen e fundit, të javës së shkuar të kësaj Gjykate duke i dhënë fund kundërshtive dhe pasigurive mbi afatin e mandatit te gjyqtarëve kushtetuese.
Siç edhe kishte rekomanduar më parë Komisioni i Venecias, prevaloi standardi dhe rregulli bazë kushtetutës i ripërtëritjes çdo 3 vjet të trupës gjyqësore me nga 3 anëtarë.
Opinionin mbi ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 për zgjedhjet dhe rregullat e listave zgjedhore; Edhe ky ka qenë një moment i rëndësishëm në kushte të pandemisë covid. Falenderoj sekretaren e përgjithshme dhe pse kohë të vështira kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm atëherë online për t’i dhënë një zgjidhje shumë të mirë dhe këtij rasti.
Opinioni tjetër mbi zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut, që ka qenë thelbësor për vijimin e reformës në drejtësi.
Një opinion tjetër ka qenë ai për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Këtu duhet ta pranoj, të paktën në cilësinë e një parlamentar, që ne “çalojmë”, në vonesat që bëjmë sa i përket adresimit të menjëhershëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. E cila lidhet sadopak edhe me autonominë parlamentare, me mënyrën e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe me atë që tha z.Dimitrop, që Gjykata Kushtetuese duhet ta shohë veten si pjesë të sistemit, jo mbi sistemin.
Dhe besoj se është një këndvështrim me vend që duhet parë dhe adresuar. Të gjitha këto situata ngërçi janë zgjidhur me delikatesën dhe me vullnetin e mirë të Komisionit të Venecias.
T’ju them të drejtën, mbaj mend momente paksa të vështira në përballje me gjyqtarët në raste të veçanta të çështjeve që kemi pasur për zgjidhje ose për opinion në Komisionin e Venecias.
Mund ta them plot gojën se Komisioni i Venecias ka shërbyer në të gjitha rastet si një arbitër i vlerave dhe standardeve profesionale, duke ofruar gjithmonë qasje të balancuara që kanë ndikuar në shmangien e krizave dhe në zgjidhjen e ngërçeve.
Ndaj Shqipëria i jep shumë rëndësi Komisionit të Venecias, dhe ky aspekt institucional është i mishëruar edhe në ligjin e Gjykatës Kushtetuese, ku Shqipëria ka parashikuar të drejtën që kjo gjykatë t’i drejtohet gjithmonë Komisionit të Venecias sa herë e sheh të arsyeshme për çështje të ndërlikuara kushtetuese.
Ky fakt flet qartazi për besimin e lartë dhe rëndësinë që ne i japim punës së Komisionit si një udhëzues – siç e thashë – i paanshëm, teknik, me shumë integritet, veçanërisht në situatat e ngërçeve institucionale, por edhe të paqartësive juridike, reformat që na presin dhe nevoja e partneritetit me Këshillin e Europës dhe me Komisionin e Venecias. Është e vërtetë që sot, teksa flasim, Kuvendi i Shqipërisë ka çelur sfidën për dy reforma të tjera: e para ka të bëjë me reformën zgjedhore, dhe tjetra me reformën territoriale. Të dyja kanë ndikim afatgjatë: njëra në sistemin përfaqësues, tjetra në organizimin e pushtetit vendor.
Jam i bindur se debatet që do të kemi me opozitën ndoshta do të na çojnë përsëri në nevojën për të kërkuar mendimin e vyer dhe jurisprudencën qoftë në opinionet ekzistuese, qoftë në ato të reja të Komisionit të Venecias, të cilat – siç kanë dëshmuar – janë gjithmonë të domosdoshme për të siguruar që ndryshimet që bëjmë të plotësojnë standardet më të mira dhe frymën kushtetuese.
Një element tjetër, për të cilin do të doja të ftoja debatin dhe diskutimet në këtë tryezë të nderuar, ka të bëjë me atë që quhet “Check-list” e shtetit të së drejtës, një mjet i vyer me vlera ende të pashfrytëzuara sa duhet në Shqipëri.
Dua të ndalem veçanërisht tek ky instrument, të cilin Komisioni i Venecias e ka vendosur si një udhëzues praktik, madje edhe gjithëpërfshirës, për të vlerësuar përputhshmërinë e legjislacionit dhe të veprimtarisë së institucioneve me parimet themelore të shtetit të së drejtës.
Do të ishte me shumë vend që ne, Kuvendi i Shqipërisë, ta përdornim edhe tani, ndërsa po bëjmë raportimin vjetor të institucioneve të pavarura në Kuvend. E them këtë sepse kriteret që mbulon “check-list” janë të një natyre shumë analitike, por që përfshijnë fusha si: ligjshmëria dhe siguria juridike, ndarja dhe balanca e pushteteve, pavarësia dhe paanshmëria gjyqësore, aksesi në drejtësi, llogaridhënia, respektimi i të drejtave themelore të njeriut.
Nuk e fsheh kënaqësinë që më në fund Kuvendi i Shqipërisë ka një komision të përhershëm pikërisht të dedikuar çështjeve të të drejtave të njeriut, ku janë përfshirë edhe mjetet e informimit si një pjesë thelbësore e zbatimit të këtyre parimeve udhëzuese.
Ky nuk është një dokument abstrakt.
Dua të shpreh gatishmërinë, si kryetar i grupit të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, që të çelim diskutimin në Kuvend sa i përket përdorimit të udhëzuesit në veprimtarinë tonë të përditshme parlamentare si një mjet konkret për të bërë vetëvlerësimin.
Ai mund të përdoret edhe nga institucionet e tjera – nga Avokati i Popullit, Gjykata Kushtetuese, nga administrata publike, nga komisionerët, si dhe nga gjykatat. Ne për hartimin e ligjeve, të tjerët për hartimin e politikave, përfshirë edhe ato të natyrës penale.
Integrimi i “check-list” në mënyrë të qëndrueshme në punën e institucioneve shqiptare do të na ndihmonte realisht në rritjen e cilësisë së shtetit të së drejtës dhe do të shërbente si një mekanizëm parandalues ndaj shkeljeve, të cilat, nuk janë të rralla, ndoshta janë pak më të shpeshta. Në përfundim, dua t’ju falënderoj përzemërsisht të gjithë organizatorët, të gjithë përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë këtu, por në veçanti përfaqësuesit e institucioneve të tjera, miqtë ndërkombëtarë dhe sekretaren e përgjithshme të Komisionit të Venecias.
E mbyll duke thënë se ky Komision, në këto 35 vjet të ekzistencës së vet, ka dëshmuar se nuk ka shërbyer vetëm si një trup ekspertësh, por ka qenë edhe arkitekt i ekuilibrave kushtetues, garant i standardeve më të mira europiane dhe mbështetës i paepur i demokracisë dhe zhvillimit.
Unë them se për rastin e Shqipërisë – ndoshta edhe të Moldavisë – janë dy vendet që i janë drejtuar më shpesh Komisionit të Venecias.
Dua të shpreh angazhimin tonë për të ndjekur me kujdes edhe opinionet e tjera që do të vazhdojnë, edhe në rastet kur ne nuk jemi palë, sepse e mira e opinionit të Komisionit, edhe kur nuk je palë, ka gjithsesi një vlerë për t’u ndjekur dhe për t’u adresuar. Kështu që, shumë faleminderit për ftesën dhe punime të mbara kësaj konference me shumë rëndësi.