Nga Jakin Marena
Departamenti Amerikan i Shtetit i ka hequr ‘non gratën’ Millorad Dodikut, president i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur dhe lider i serbëve të Bosnjës, i cili ishte sanksionuar dy herë për shkak së Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.
DASH konfirmoi për mediat se veprimet konstruktive” të ndërmarra gjatë javëve të fundit nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ndikuan në vendimin e SHBA-së për t’i hequr sanksionet kundër ish-liderit të serbëve të Bosnjës, si dhe dhjetëra individëve dhe kompanive të lidhura me të.
Madje qeveria amerikane shprehu vendosmërinë e saj, teksa DASH nënvizoi se ‘ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me aktorë politikë në të gjithë Bosnjën për të vendosur prioritete të përbashkëta”. Një ndryshim total në qasjen e SHBA ndaj ish lidershpit serb të Bosnjës pas heqjes së sanksionimit të vënë kohë më parë, madje shumë herë të shpallur ‘non grata’.
Publiku shqiptar dhe një pjesë e medias e përcollën me shumë interes lajmin e heqjes së non gratas për liderin e serbëve të Bosnjës, Dodik, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij! Interesi vinte për shkak se dhe në Shqipëri, kemi një të sanksionuar të madh, bashkë me tërë familjen e tij, liderin aktual të PD dhe të opozitës shqiptare Sali Berisha. Anipse Berisha, në momentin kur u sanksionua nga DASH ishte deputet i thjeshtë i PD dhe pjesë e strukturave drejtuese të kësaj partie, teksa kreu i demokratëve zyrtarisht ishte Lulzim Basha! Pra, Berisha ishte në të drejtën e Zotit dhe e kishte të ligjshme që të gëzonte sëbashku me familjen e mbështetësit e tij, pasi me Dodik mendohej po i ‘hapej’ rruga për të hequr dhe ai ‘non gratën’.
Por ajo që kemi parë të mërkurën por dhe deri në këto momente të ditës së enjte është se Berisha vetë, lidershipi i PD dhe sidomos mediat e tij dhe afër tij, si dhe gazetarët që bëhen ‘copë’ për të nëpër panelet televizive, kanë heshtur në mënyrën më ‘heroike’ të mundshme! Nuk kanë folur asnjë fjalë për ‘çlirimin’ e Dodik nga ‘non grata’ e SHBA, e as një fjalë për të ngjallur shpresën tek demokratët se liderit të tyre do t’i hiqet ‘non grata’. Aq më tepër që kemi nëpër këmbë dhe zgjedhjet e pjesëshme në 5 bashkitë pa kryetar në vend dhe një lajm i tillë do të çlironte energji pozitive për të bërë një fushatë akoma më të fortë, të ‘frymëzuar’ nga shpresa se kryetari i tyre, Berisha, ka shpresë për të kapërcyer Atlantikun me vizë të rregullt amerikane!
Në pamje të parë duket e habitshme një heshtje e tillë, aq më tepër kur Berisha nuk ka lënë njeri pa kapur në Uashington, duke vënë në dispozicion të lobuesve në SHBA 6 milionë dollarë, pjesa e dukshme kjo pasi koridoreve të PD flitet përmbi 20 milionë dollarë, të gjitha këto para për të gjetur rrugën deri te administrata amerikane e Trump, në mënyrë që ajo të bindet për të marrë vendimin e heqjes së sanksionimit të vënë që në vitin 2021 për të familjarisht!
Por kur e analizon hollë hollë, heshtja e Berishës, mbështetësve të tij dhe mediave afër dhe të tij, e ka një shpjegim! Jo se Berisha e ka për gjë të flasë para kohe dhe për gjëra që e di në masën 100% se janë të parealizueshme apo të pavërtata! Ai nuk frenohet nga këto elementë dhe këtë e ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij 35 vjeçare në krye të PD! Nuk e vret ndërgjegjia Berishën!
Në krye të herës sanksionimi i Dodik është bërë nga Departamenti i Thesarit, në ndryshim nga Berisha, sanksionimi i të cilit është bërë me firmë e vulë nga DASH dhe sekretari Blinken! Pra sanksionimi i Berishës është shumë e shumë më i rëndë se sa ai i Dodik, dhe për më tepër, nëse të sanksionuarit nga ana e Thesarit janë liruar nga ‘non grata’ herë pas here, kur janë sjellë mirë dhe për më tepër nuk kanë hyrë në ‘rrethin’ e cënimit të interesave amerikane, të sanksionuarit nga ana e DASH nuk u është hequr thuajse asnjëherë ‘non grata’!
Elementi i dytë është se Dodik u tërhoq nga presidenca dhe nga politika, duke bindur amerikanët se e ka seriozisht një gjë të tillë, çka solli dhe heqjen e një vatre serioze tensioni dhe konflikti në Ballkan, për të cilin ishte i interesuar Rusia dhe Putin! Ky është një sinjal i fortë i Uashingtonit drejtuar Kremlinit, që duke e marrë në anën e vet Dodik e serbët e Bosnjës, i heq Rusisë njeriun kryesor të saj në Ballkan!
Ndërkohë që Berisha nuk ka dhënë asnjë shenjë se mund të tërhiqet nga politika, jo vetëm për të mirën e PD por të paktën për të mirën e dy fëmijëve të tij, të cilët bashkë me të vijojnë të jenë të shpallur non grata në SHBA! Madje Berisha, si për ta përforcuar vëndosmërinë e tij për të mos u tërhequr nga drejtimi i PD e politika, ndonëse 81 vjeçar deklaroi se do të kandidonte dhe në vitin 2026 për kryetar të partisë. Dihet që ai fiton sa herë që të garojë për kreun e PD, e ka pronën e vet këtë parti! Përzuri dhe Bashën, megjithëse Luli kishte 8 vite që zyrtarisht ishte kryetari i PD, por fijet i luante Berisha në prapaskenë! Ka hall Berisha, hall të madh me sa duket, me gjithë ato dosje të rënda që ka në ngarkim dhe nën hetim, mendon se mbrohet me mandatin e kryetarit të PD, duke paralajmëruar se do të qëndrojë në krye deri në fund të kohës biologjike!
Në këto kushte për asnjë arsye, DASH nuk po planifikon heqjen e non gratës për Berishën, i cili ka treguar dhe po tregon se nuk ka reflektuar në atë që kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, duke vijuar të mbajë peng me kokëfortësi PD-në dhe opozitën në këtë vend, e duke e lënë opozitën jashtë ‘rrethit’, pa asnjë partner real e të besueshëm për Uashingtonin, Brukselin e Londrën!
Problemi tjetër i madh, në qasjen e SHBA për të vendosur nëse i duhet hequr non grata është dhe fakti se Berishën nuk e llogarit askush as në Shqipëri as dhe jashtë vendit si faktor relevant, për të destabilizuar situatën në Shqipëri dhe në rajon! Kanë ‘testuar’ dhe protestat e tij, ku nuk ka arritur të mbledhë njerëz për të krijuar tensione e për më tepër për të sjellë përmbysje e përplasje që do të rrezikonin sigurinë në vend e në rajon! Pra, Berishën e cilësojnë si të vdekur politikisht pa asnjë mundësi mobilizimi të turmave që do të sillnin destabilitet! Madje nuk mundi ta bëjë këtë as me paratë që dha Kremlini për këtë qëllim!
Nga ana tjetër, pas bërjes publike të hedhjes parave për lobim në SHBA për heqjen e ‘non gratës’ për Berishën, në përmasat e 6 milionë dollarëve për njerëzit afër Trump, të angazhuarit në favor të Berishës janë stepur dhe nuk po lëvizin as gishtin! Edhe sikur të kenë pasur tërë vullnetin e Zotit këto segmente të caktuara të administratës amerikane, gjë që nuk ka ndodhur, për të hequr non gratën e Berishës, bërja publike e hedhjes së 6 milionë dollarëve për lobim në SHBA për këtë qëllim, kjo është vetëm ‘maja e ajsbergut’ pasi thuhet se bëhet fjalë për mbi trefishin e kësaj shumë sipas burimeve jozyrtare brenda PD, ka frenuar të gjitha përpjekjet, pasi SHBA do të evidentohej në sytë e demokracive perëndimore si vendi që ka një qeveri të korruptueshme, për të marrë vendime të tilla, si heqja e sanksionimeve për liderë të ndryshëm botërore!
Pikërisht për këtë qëllim, është thuajse e pamundur që një shtet demokratik e me institucione të konsoliduara siç është SHBA, aq më tepër me një president të tillë të prerë siç është Trump, të merret një vendim për heqjen e non gratës për Berishën, përkundrejt parave të hedhura për lobim tek njerëzit afër Trump! Çka tregon se dhe në këtë aspekt, Sali Berisha është shumë ndryshe nga Dodik, që hoqi sanksionimin një ditë më parë!
Dhe në fund të herës, me sa duket Berisha ka ‘mëkate’ të tjera shumë të rënda përtej dhe liderit të serbëve të Bosnjës, Dodik, që nuk e favorizojnë, përkundrazi e bllokojnë pa kthim, heqjen e non gratas nga SHBA! Amerikanët me sa duket s’ia falin bashkëpunimin me terroristët islamikë deri te pritja për Osama Bin Laden, thyerjen e embargos me Milosheviçin, shembjen e shtetit shqiptar nga themelet, përzierjen në çështjen e Kosovës, tensionimin e vazhdueshëm të situatës në Shqipëri, si në pushtet ashtu dhe në opozitë, hedhjen në erë të Gërdecit për biznesnin e të birit dhe tentativën për të përfshirë e fajësuar dhe amerikanët në këto probleme, financimin rus për PD-në , shkatërrimin e drejtësisë në vend, si dhe kokëfortësinë për të mos bërë mënjanë nga drejtimi i PD e politike, deri dhe duke u konfrontuar me SHBA!
Dhe mbi të gjitha nuk ia fal askush vrasjet në mes të bulevardit të 4 demonstruesve të opozitës nga Garda e Republikës, me urdhër të tij sipas akuzave, më 21 janar 2011! Me sa duket ‘lëmshio’ po mblidhet dhe do jepet llogari për këto vrase! E themi këtë sepse pikërisht këtë të enjte, për herë të parë, që kur SPAK nisi hetimet për ‘21 Janarin’, ish kreu i PD, Lulzim Basha, është paraqitur në ambientet e SPAK pasditen e sotme. Mësohet se Basha është thirrur në SPAK, për të dëshmuar për 21 janarin, si person që ka dijeni, pasi ka qenë ministër i Brendshëm më 21 janar 2011, kur gjatë protestës para kryeministrisë u vranë nga plumbat e shtetit 4 protestuesit e opozitës së atëhershme socialiste!
Ky zhvillim ka ardhur, më shumë se një vit pas pasi vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti qartë krim shtetëror i hapi rrugë hetimeve nga SPAK, pas një ‘ping-pongu’ të gjatë mes prokurorive, duke regjistruar procedimin penal më 15 korrik 2024, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Tashmë SPAK, ka dosjen në dorë të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Basha, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendit e të tjerëve në vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm.
Familjarët e 4 dëshmorëve, Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj kërkojnë të dënohen urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj vrasje shtetërore në mes të ditës, në mes të bulevardit para kryeministrisë 14 vite më parë, duke treguar me gisht si urdhërdhënës Berishën. Pikërisht këtë ka kërkuar dhe Strasburgu, i cili ia dha të gatshme dosjen për gjyklim drejtësisë shqiptare me vendimin që mori! Mbetet mister nëse Basha do të jetë një i ‘penduar i drejtësisë” dhe do të ‘rrëfehet’ për urdhërin e gdhënë sipas gjasave nga Berisha asokohe kryeministër që të qëllohet në ‘mish’ mbi protestuesit! Mundësitë janë reale, Basha është thirrur si person që ka dijeni, por ishte dhe pjesë e zinxhirit komandues atë ditë në kryeministri! Poshtë Berishës, kuptohet!
Të gjitha këto zullume bëjnë pjesë te ‘mëkatet’ e mëdha të Berishës, të cilat jo vetëm i bllokojnë heqjen e ‘non gratës’ nga SHBA por dhe e ekspozojnë fort para drejtësisë, tashmë për dosje tamam të rënda, si vrasja e 4 demonstruesve më 21 janar 2011. Gjithsesi Berisha ‘kohën’ para e ka, 81 vjeç është por është i fortë e për të, sikurse e thotë dhe vetë ai, vitet janë numra! Fundja në opozitë do të jetë, asnjëherë në pushtet, ndoshta as heqja e non gratës nuk i intereson më, ndërsa milionat e dollarëve të hedhura për lobim, sikurse vitet për të janë numra, dhe paratë janë letër! Se mos janë paratë e tij, se mos ia ka lënë babai! Paratë tona janë! Tani ka halle të tjera, duhet të mendojë se si të shpëtojë nga ’21 janari’, të paktën ta kalojë sa më lehtë të jetë e mundur!




















