Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen do të shpallet sot nga Instituti Norvegjez i Nobelit në Oslo.
Por ndërsa bota pret emrin e laureatit të radhës, një zë i njohur ka filluar të bëhet gjithnjë e më i zëshëm, ai i presidentit amerikan, Donald Trump.
Trump ka kohë që pretendon se e meriton këtë çmim prestigjioz, duke e quajtur veten një faktor kyç në nxitjen e paqes në Lindjen e Mesme. Që në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaronte se “shumë njerëz” mendonin se ishte i denjë për Nobelin.
Gjatë një takimi në muajin shkurt me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump u shpreh i bindur për meritat e tij, por gjithashtu skeptik për një shpërblim nga komiteti Nobel: “Ata kurrë nuk do të më japin një Çmim Nobel për Paqen. E meritoj, por ata kurrë nuk do të ma japin.”