Gjatë fjalës së tij, Drejtor Proda theksoi se fuqizimi i grave në Polici nuk është vetëm çështje barazie gjinore, por një investim në cilësinë e shërbimit që i ofrojmë qytetarëve. Ato janë shembull i kurajos, i integritetit dhe i aftësisë për të balancuar forcën me humanizmin, vendosmërinë me ndjeshmërinë, cilësi këto që përbëjnë themelin e një policie moderne dhe qytetare. Dhe sot, për koincidencë, konferenca përkoi me emërimin e një tjetër femre në postin e shefit të Komisariatit, kësaj radhe në Librazhd, që do të pasohet edhe me emërime të tjera në poste drejtuese të grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit.

Në vijim, fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, gjatë konferencës:

“Është kënaqësi dhe përgjegjësi e veçantë të marr pjesë sot në këtë konferencë, e cila shënon 25-vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, një dokument themelor që ka ndryshuar mënyrën si bota e sheh rolin e grave në paqe dhe siguri.

Kjo rezolutë është një thirrje për veprim, për përfshirje të grave në vendimmarrje, për barazi në mundësi dhe për njohjen e kontributit të tyre të pazëvendësueshëm në çdo nivel të sigurisë. Në Policinë e Shtetit, ne e kemi përqafuar këtë frymë dhe po e kthejmë atë në realitet.

Në mbështetje të Planit të Veprimit për zbatimin e kësaj rezolute, Policia e Shtetit ndjek dhe realizon detyrimet e saj në drejtim të promovimit të rolit të gruas në radhët e Policisë.
Në vitet e fundit, ne kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar përfshirjen e grave dhe për t’u garantuar atyre mundësi të barabarta për angazhim dhe avancim në karrierë.
Janë miratuar politika që nxisin përfshirjen e grave jo vetëm në funksione administrative, por edhe në sektorët operativë dhe në nivelet drejtuese të Policisë.

Sot, gjithnjë e më shumë gra e vajza police mbajnë uniformën me dinjitet, përkushtim dhe profesionalizëm. Ato janë shembull i kurajos, i integritetit dhe i aftësisë për të balancuar forcën me humanizmin, vendosmërinë me ndjeshmërinë, cilësi këto që përbëjnë themelin e një policie moderne dhe qytetare.

Me marrjen e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kam pasur si objektiv kryesor mbështetjen e familjeve të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe promovimin e vajzave dhe grave në Policinë e Shtetit. Përmes proceseve të hapura të konkurrimit, shumë vajza dhe gra janë ngritur në detyra drejtuese, si shefe sektori, komisare, drejtuese drejtorish apo koordinatore rajonale. Ky është një tregues i qartë se rruga e meritës, konkurrimit dhe mundësive të barabarta, po jep rezultat.

Fuqizimi i grave në polici nuk është vetëm çështje barazie gjinore, por një investim në cilësinë e shërbimit që i ofrojmë qytetarëve.
Përfshirja e tyre në çdo hallkë të strukturës rrit profesionalizmin, forcon etikën institucionale dhe përmirëson marrëdhënien e Policisë me komunitetin. Ne besojmë fort se prania e grave në polici rrit cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe ndikon pozitivisht në perceptimin e publikut për institucionin tonë.

Besimi i komunitetit në uniformë është sfida jonë më e madhe, dhe kontributi i punonjëseve gra, me ndjeshmërinë dhe qasjen e tyre gjithëpërfshirëse, është thelbësor për ndërtimin e këtij besimi dhe për forcimin e rezistencës së komuniteteve ndaj ndikimeve ekstremiste dhe të dhunshme.

Nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me Shoqatën e Grave në Policinë Shqiptare, me shoqërinë civile, të rinjtë dhe komunitetet fetare, po synojmë të identifikojmë në kohë shenjat e radikalizimit dhe të ndërhyjmë përpara përshkallëzimit të tij.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe hapësirës online, ku rritja e ekspozimit të fëmijëve dhe të rinjve ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe propagandës ekstremiste kërkon përgjigje të mençura, përmes edukimit, kontrollit digjital dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në këtë kuadër, Departamenti për Rendin dhe Sigurinë dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Qendrën për Koordinimin e Kundërshtimit të Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE), po zhvillon një sërë aktivitetesh në kuadër të policimit në komunitet, për parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe të ekstremizmit të dhunshëm dhe keqpërdorimin e rrjeteve sociale, duke përfshirë nxënës, prindër, përfaqësues vendorë dhe organizata të shoqërisë civile.

Policia e Shtetit është pjesë e zbatimit të Planit Kombëtar për Agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, dhe ne do të vijojmë të mbështesim nisma që fuqizojnë rolin e punonjëseve të policisë, përmes programeve të zhvillimit të karrierës, trajnimeve dhe përfshirjes aktive në fushat operacionale, hetimore dhe drejtuese.

Të nderuar pjesëmarrës,

E ardhmja e Policisë së Shtetit është gjithëpërfshirëse. Ne duam që çdo grua e vajzë që zgjedh këtë profesion të ndjejë se ka hapësirën për t’u rritur, për të kontribuar dhe për të udhëhequr. Ky është vizioni ynë, një polici e barabartë, profesionale dhe e orientuar drejt qytetarëve.

Ju faleminderit për këtë mundësi për të ndarë përvojën tonë dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm në ndërtimin e një shoqërie më të sigurtë, më të drejtë dhe më paqësore për të gjithë.

Faleminderit!”