Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit, Fatos Nano, ka sjellë reagime të shumta edhe nga figura të larta të futbollit në vendin tonë.

Edhe futbolli në zi, ndeshjet e kampionatit do të fillojnë me një minutë heshjte në homazh të ish-kryeministrit, Duka: U largua siç ishte, si zotëri. Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se të gjitha ndeshjet e fundjavës do ët fillojnë me 1 minutë heshtje në respekt të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit të vendit. Ndërkohë që edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka ka reaguar nëpërmjet këtij mesazhi në rrjetet sociale.
Reagimi i Presidetit të FSHF-së, Armande Duka
Fatos Nano u largua nga kjo jetë siç jetoi gjithmonë, me dinjitet dhe si një zotëri i vërtetë.

Ishte zotëri në çdo rrethanë, si kur drejtonte vendin si Kryeministër, ashtu edhe kur ishte thjesht një qytetar mes nesh.
Tosi do të më mungojë shumë. Si mik, si politikan, por mbi të gjitha si njeri. Ai që e ka njohur nga afër e di se ishte unik, i veçantë dhe i pazëvendësueshëm.

Prehu në paqe Tos Nano. Sa keq që ike kaq herët!

Ndërkohë ndër figurat e larta të futbollit ka reaguar dhe një prej miqve të tij të vjetër, presidenti i klubit Partizanit, Gaz Demi.

REAGIMI I KLUBIT PARTIZANIT:

Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, ish-Kryeministër i Shqipërisë, intelektual i shquar, profesor dhe një tifoz i klubit Partizani.

Presidenti Gazment Demi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, duke evidentuar një dedikim special: – Fatos Nanon do ta mbaj mend si profesorin dhe mikun tim të mirë, qysh në Fakultetin e Ekonomisë, ashtu edhe vitet e para të demokracisë. Profesori do të mbahet mend si njeriu që i dha vlerat e vërteta demokracisë dhe u tërhoq në moshën më vitale, duke i lënë stafetën më të rinjve, për të dhënë një shembull unik në jetën publike dhe politike të vendit tonë. Jam krenar që i kam shërbyer qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore profesorit dhe mikut tim të mirë. Nga shqiptarët ai do të kujtohet me respekt të madh si një burrë shteti dhe një politikan brilant, duke treguar tolerancë e maturi, ndërkohë që unë do e kujtoj gjithnjë si Profesorin tim të veçantë, një mik të rrallë, të mençur dhe të ndershëm që kam patur nderin ti qëndroj afër si në ditët e mira, ashtu edhe në momentet më të vështira.

Lamtumirë miku im i mirë! U prehsh në paqe Profesor! Me mirënjohjen dhe respektin e përjetshëm të familjes Demi dhe klubit të kuq…!