Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me tragjedinë e Gërdecit, është shoqëruar me debate të forta mes palëve. Përplasjet nisën pas kërkesës së avokatëve të Mediut për të revokuar vendimin e Gjykatës që pranon familjen Durda si palë në proces. Mbrojtja e Mediut kërkoi gjithashtu përjashtimin e avokatëve të familjes Durda.
“Nuk e shoh si moment për të bërë politikë, por politikë po bëhet këtu. Si ka mundësi prej një viti që vazhdon kjo situatë?”
Në sallë pati edhe reagime emocionale nga familjarët e viktimave. Feruzan Durda iu përgjigj Mediut dhe avokateve te tij.
“Mos të thotë kemi 15 vjet që ju dëgjojmë, se ne jemi ata që sot duhet ta kishim djalin 25 vjeç. Ka ditëlindjen sot. Lëre mandatin e deputetit dhe përballu me drejtësinë.”
Në përfundim të seancës, gjyqtarja Irena Gjoka rrëzoi kërkesën e Mediut për të revokuar pranimin e familjes Durda si palë në proces. Seanca e radhës do të mbahet më 11 nëntor.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.




















