Qeveria gjermane po përgatit një projektligj të ri që synon të inkurajojë pensionistët të qëndrojnë aktivë në tregun e punës, duke u ofruar atyre një përjashtim tatimor prej 2,000 eurosh në muaj për të ardhurat nga puna.
Sipas raportimit të Financial Times, masa pritet të hyjë në fuqi në janar dhe do t’i kushtojë shtetit rreth 890 milionë euro në vit.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve të qeverisë së Kancelarit Friedrich Merz për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në ekonominë më të madhe të Evropës. Në thelb, ajo synon të krijojë stimuj të fortë fiskalë për qytetarët që, ndonëse në moshë pensioni, zgjedhin të kontribuojnë ende në tregun e punës.
Gjermania, siç vëren FT, po ndjek shembullin e Greqisë, ku pas një reforme të thellë dy vite më parë, u hoqën penalizimet e rënda për pensionistët që punonin. Nga humbja automatike e 30-60% të pensionit, sot ata e marrin pensionin e plotë dhe kontribuojnë vetëm 10% të pagës në fondin e sigurimeve EFKA. Si rezultat, numri i pensionistëve të regjistruar që punojnë është rritur nga 35,000 në vitin 2023 në mbi 250,000 sot.
Përveç stimulimit të pjesëmarrjes aktive të të moshuarve në ekonomi, kjo politikë ndihmoi edhe në “zbardhjen” e tregut të punës, pasi penalitetet e mëparshme shtynin shumë pensionistë drejt punës informale, pa të drejta apo përfitime shtesë.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria e Merz ndjek modele të suksesshme nga Greqia. Ndër reformat e tjera të ngjashme përfshihet dixhitalizimi i shtetit, për të cilin është krijuar një ministri e veçantë – si dhe regjistrimi elektronik i orarit të punës dhe përjashtimi nga tatimi i orëve shtesë të paguara, praktika që tashmë zbatohen në Greqi.