Pala amerikane bashkohet sot në bisedimet e Egjiptit për të siguruar një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit që do i jepte fund luftës në Gaza.
I dërguari i Donald Trump për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Jared Kushner, hyjnë në skenë pasi dita e dytë e bisedimeve indirekte përfundoi pa rezultate konkrete. Bisedimeve u bashkohet gjithashtu kryeministri I Katarit, vendi i të cilit ka luajtur një rol thelbësor në ndërmjetësimin mes palëve.
Presidenti amerikan Trump ruajti optimizmin teksa u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ekziston mundësia për paqe në Lindjen e Mesme. Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka që është e mundur, për t’u siguruar se të gjithë do t’I përmbahen marrëveshjes. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, pa dhënë detaje për bisedimet, tha se këto ditë janë vendimtare.
Ndërkohë bisedimet e deritanishme me ndihmën e Egjiptit dhe Katarit nuk kanë sjellë ndonjë përparim të vërtetë, por ndërmjetësit po punojnë për të ngushtuar hendekun mes palëve.
Mosmarrëvehsjet kanë të bëjnë me hartat e propozuara të tërheqjes izraelite nga Gaza dhe mbi garancitë që Hamasi dëshiron të marrë që Izraeli të mos rifillojë luftimet pas fazës së parë të marrëveshjes.
Kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Hayya, të cilin Izraeli e shënjestroi muajin e kaluar në një seri sulmesh ajrore në Doha të Katarit, i tha mediave egjiptiane se grupi ka synim të zhvillojë negociata serioze dhe të përgjegjshme.
Hayya tha se Hamasi është gati të arrinte një marrëveshje, por ka nevojë për garanci reale nga Trump dhe bashkësia ndërkombëtare se lufta do të mbarojë dhe nuk do të rifillojë sërish, siç ka ndodhur në armëpushimet e kaluara.
Nga ana tjetër, Izraeli kërkon patjetër çarmatosjen e Hamasit, si një pikë kyçe për të siguruar marrëveshjen, gjë që deri më tani grupimi palestinez nuk ka pranuar ta bëjë.