Mbrëmë, rrugët e Londrës, Berlinit, Brukselit, Shtutgartit, Shkupit, Nju Jorkut, Prishtinës e Tetovës …… u veshën kuqezi nga festa e miliona shqiptarëve në mbarë botën.
Mjaftoi një gol për të harruar ndasitë partiake dhe politike.

Mjaftoi një gol për të harruar rivalitetin Rama–Kurti–Berisha-Haradinaj–Ali Ahmeti–Thaçi…
Mjaftoi një gol për të harruar thirrjet për të bojkotuar bregdetit dhe plazhet shqiptare.
Mjaftoi një gol për t’u përqafuar aktivistët e VV-me ushtarët e UÇK, apo demokratët me socialistët.

Mjaftoi një gol për të treguar se nuk jemi 4 milionë banorë me pasaportë shqiptare, por 20 milionë me kombësi etnike kuqezi.
Mjaftoi një gol për të hequr kufirin mes nesh.
Në fakt, goli i djeshëm nuk ishte thjesht një fitore kundër Serbisë, por një rizgjim i patriotizmit.

Dje shkuan dëm miliona euro të agjenturave që përpiqen të kultivojnë idenë e “kombit kosovar”.
Dje, shqiponja me dy duar e Rey Manajt nuk ishte simbol provokimi, por thirrje bashkimi.
Shqiptari nga Lushnja i kujtoi gjithë Kosovës se ajo është zemra e Shqipërisë.

Shqiponja me dy duar vulosi në sytë e gjithë botës se jemi një komb, një gjuhë, një flamur.
Duhej një gol për të kuptuar se dëshira për një Shqipëri të bashkuar nuk është iluzion, por realitet dhe çështje kohe. Duhej një gol për të kuptuar sa shumë na ka ndarë dhe ftohur me njëri-tjetrin politika. Ai gol nuk ishte thjesht një biletë për në Botërorin e SHBA-së, por preludi i një lëvizjeje kombëtare që shpall se çdo shqiptar, kudo jashtë kufijve, duhet të ketë një pasaportë kuqezi, nën parimin:

“Një komb, një pasaportë.”
Dje miliona shqiptarë u derdhën në qytetet e Europës me flamurin kuqezi në duar.
Ata mund të kenë disa pasaporta në xhep, por 80% e tyre ende nuk kanë pasaportën e shtetit amë – Shqipërisë. Ndoshta duhej një gol për të kuptuar sa shumë e duan ata kombin dhe Shqipërinë……..