Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar se forcat ruse të mbrojtjes ajrore janë përgjegjëse për rrëzimin e avionit pasagjerësh të “Azerbaijan Airlines” në dhjetor të vitit 2024, ku humbën jetën 38 persona. Kjo është hera e parë që Kremlini pranon zyrtarisht fajin për këtë ngjarje tragjike.

Putin e bëri deklaratën të enjten gjatë takimit me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në kryeqytetin e Taxhikistanit, ku të dy po merrnin pjesë në një samit të vendeve ish-sovjetike.
Ai tha se raketat e lëshuara nga sistemi rus i mbrojtjes ajrore për të goditur një dron ukrainas kishin shpërthyer pranë avionit të kompanisë “Azerbaijan Airlines”, i cili po udhëtonte nga Baku drejt Groznit, në Çeçeni.

“Raketat shpërthyen vetëm 10 metra larg avionit pasagjerësh për shkak të një defekti teknik,” tha Putin.

Sipas autoriteteve azerbajxhanase, avioni i tipit “Embraer 190” ishte goditur aksidentalisht nga raketat ruse dhe kishte tentuar të ulej në Kazakistanin perëndimor. Por avioni nuk arriti të ulej dhe u përplas me tokën, duke vrarë 38 nga 67 personat që ndodheshin në bord. Putin tha se Rusia do të ndëshkojë personat përgjegjës dhe do të dëmshpërblejë familjet e viktimave.

“Pala ruse do të bëjë gjithçka për të ofruar kompensim dhe për të dhënë një vlerësim ligjor për veprimet e të gjithë zyrtarëve përgjegjës. Sigurisht, asgjë nuk mund të kthejë në jetë ata që humbën,” tha ai.

Menjëherë pas rrëzimit të avionit, Putin i kishte kërkuar falje Aliyevit, duke e quajtur ngjarjen “një incident tragjik”, por pa e pranuar drejtpërdrejt përgjegjësinë. Ndërsa presidenti azerbajxhanas e kishte akuzuar Moskën se po përpiqej ta fshihte rastin.

Rrëzimi i avionit shkaktoi tensione në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Azerbajxhanit, që më parë kishin pasur lidhje të ngushta. Situata u përkeqësua edhe më shumë pas vdekjes së disa qytetarëve me origjinë azerbajxhanase të ndaluar nga policia në një qytet rus në qershor, si dhe pas arrestimit të disa rusëve në Azerbajxhan.
Gjatë takimit të fundit në Dushanbe, Putin tha se shpreson që marrëdhëniet mes dy vendeve të kthehen në normalitet. Nga ana e tij, presidenti Ilham Aliyev e falënderoi Putinin për hetimin e incidentit dhe për përfshirjen e tij personale.

Aliyev shtoi se gjatë takimit patën mundësi të diskutonin një “agjendë të gjerë dhe pozitive” për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe shprehu shpresën që “mesazhet që po dërgojnë sot të kenë një reagim pozitiv në të dyja shoqëritë”.
Ngjarja e 25 dhjetorit 2024 ndodhi në një moment kur Rusia po përballej me sulme të shpeshta të dronëve ukrainas në territorin e saj. Putin tha se sistemi rus i mbrojtjes ajrore kishte reaguar ndaj një droni, por për shkak të një problemi teknik kishte goditur avionin civil që po afrohej për ulje.

“Fjalët tona nuk mund të zbusin dhimbjen e familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre, por ne do të bëjmë gjithçka që kjo tragjedi të mos përsëritet,” tha Putin. Rrëzimi i avionit të “Azerbaijan Airlines” është një nga incidentet më të rënda ajrore të ndodhura në territorin rus vitet e fundit dhe një ngjarje që ka lënë pasoja të thella në marrëdhëniet midis Moskës dhe Bakusë.