Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është rikthyer në Theth për të vijuar aksionin e shembjes së ndërtimeve pa leje. Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës fadromat kanë nisur shembjen e godinave të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.
Banorët janë njoftuar më herët për ndërhyrjen. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit parashikohet të shemb në këtë zonë 35 objekte.
Ky është aksioni i dytë në Theth gjatë këtij viti. Në muajin korrik, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit shembi rreth 70 objekte, kryesisht struktura akomoduese të ndërtuara pa leje në zonën e mbrojtur.
Thethi, i shpallur Park Kombëtar dhe një ndër destinacionet më të rëndësishme turistike të veriut prej kohësh është në vëmendjen e autoriteteve për shkeljet urbanistike.
Ndërhyrjet synojnë rikthimin e ligjshmërisë në këtë zonë të mbrojtur.