Dy të rinj shqiptarë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës kanë marrë vëmendje ndërkombëtare për një arritje të rëndësishme shkencore në fushën e ornitologjisë.

Mirjan Topi dhe Ferdinand Bego kanë zhvilluar një mjet inovativ për studimin dhe ruajtjen e shpendëve të egër, i cili është krijuar plotësisht në Shqipëri dhe tashmë është publikuar në një nga revistat shkencore më të njohura të fushës.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur krenarinë e tij për këtë sukses përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e këtij kontributi që vjen nga të rinjtë shqiptarë.

“Krenarë për dy të rinjtë shqiptarë, nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Mirjan Topi dhe Ferdinand Bego, të cilët kanë bërë një zbulim shkencor mbi studimin dhe ruajtjen e shpendëve të egër, i cili ka marrë një vëmendje ndërkombëtare në fushën e ornitologjisë si një instrument i ri shkencor, i krijuar plotësisht në Shqipëri. Ky mjet inovativ, që mban emrin e Lagunës së Nartës, do të përdoret për kapjen e kontrolluar të shpendëve për qëllime kërkimore dhe është tashmë i publikuar në Revistën Shkencore Ndërkombëtare të Studimit të Shpendëve të Rendit të Baltakëve”, ka shkruar kryeministri Rama.