Londër, 2 tetor 2025 – Digjitalizimi i plotë në shendetësi, receta elektronike dhe gjurmimi digjital i barnave(track and trace) janë e vetmja rrugë për një shëndetësi bashkëkohore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Prof. Evis Sala gjatë samitit dyditor “Inteligjenca artificiale në shëndetësi”, organizuar në Londër nga “The economist” tha se, shëndetësia globale po hyn në një fazë të re, ku teknologjitë e avancuara do të lejojnë kalimin nga diagnostika tradicionale në një nivel të ri të ashtuquajtur “super-diagnostikë

Duke sjellë eksperiencën e saj akademike në fushën e imazherisë onkologjike në nivel ndërkombëtar, ministrja Sala nënvizoi se Inteligjenca Artificiale do të udhëheqë revolucionin në shëndetësi, ndërsa paraqiti vizionin e qeverisë shqiptare në digjitalizimin e plotë në shëndetësi, si pararendës të përdorimit të inteligjencës artificiale në diagnostimin e përparuar.

“Spitali i së ardhmes do të ketë një infrastrukturë të padukshme teknologjike, qendër të unifikuar të të dhënave të pacientit, zero barrë administrative për profesionistët dhe një kulturë bashkëpunimi njeri – IA, ku është në qendër kujdesi ndaj pacientit”, u shpreh ajo.

Në panelin dedikuar integrimit të inteligjencës artificiale në praktikën klinike, krah emrave të njohur ndërkombëtarë, ministrja Sala ndau shembuj konkretë të përdorimit të IA për të ulur lodhjen e klinicistëve dhe ngarkesën administrative në radiologji, përfshirë automatizimin e detyrave të përsëritura, optimizimin e planifikimeve, gjenerimin automatik të raporteve dhe përpunimin e gjuhës natyrore për dokumentacionin mjekësor.

Në samit morën pjesë 300 pjesëmarrës e 60 folës nga e gjithë bota, ku u paraqitën njohuri ekskluzive dhe studime rastesh nga politikëbërës, përfaqësues të teknologjisë mjekësore, akademikë, organizata që punojnë për të arritur potencialin maksimal të IA-së në shëndetësi.