Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka mbërritur në Izrael, në një kohë kur ndërhyrja e palës amerikane po konsiderohet më e nevojshme se kurrë, për të mbajtur në fuqi armëpushimin në Gaza. Ndërkohë më herët në Izrael kishin mbërritur i dërguari i Donald Trump për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Jared Kushner.

Të dy ata takuan pengjet e liruara nga Hamasi në Tel Aviv, teksa më herët ishin takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Vizita e amerikanëve në Izrael ka synim që të ushtrojë presion ndaj Netanyahut, që të mos tërhiqet nga marrëveshja e armëpushimit.
Zyrtarë të lartë të administratës së Trump, të cilët kanë folur në mënyrë anonime për mediat amerikane, kanë thënë se ka shqetësim në rritje se kryeministri izraelit do të braktisë marrëveshjen dhe do t’i rikthehet luftës.

Për këtë arsye numri dy i shtëpisë së bardhë dhe ndërmjetësuesit e paqes janë në Izrael që të flasin për atë që do të ndodhë më pas, përtej fazës së parë të armëpushimit. Izraeli ka kërcënuar disa herë se do të vazhdojë sulmet, me pretendimin se Hamas nuk ka përmbushur kushtet për të kthyer të gjitha pengjet.

Grupi palestinez ka dorëzuar 20 pengje të gjalla dhe trupat e 13 pengjeve të pajeta, teksa 15 trupa të tjerë mbeten në enklavë. Hamas ka thënë se është e vështirë që trupat të gjenden, për shkak të shkatërrimit në enklavë.

Amerikanët shpresojnë ta mbajnë gjallë marrëveshjen, duke i thënë Izraelit se Trump nuk do të tolerojë shkeljet. Përplasjet në enklavë kanë vijuar, teksa numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite vetëm në dy ditët e fundit është thuajse 60. Nga ana tjetër tensione ka pasur edhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku kolonët izraelite kanë sulmuar palestinezët vendas.