Nuk ka zgjedhje në 9 nëntor në Tiranë, të paktën jo pa folur Gjykata Kushtetuese.
Partia Socialiste bëri një hap pas per zgjedhjet në kryeqytet, për tw mos penguar mbajtjen e zgjedhje te 5 bashkitë e tjera.
Në kolegjin zgjedhor, përfaqësuesi ligjor i socialistëve, kërkoi të hiqen nga padia afatet për Tiranën, në mënyrë që të mos digjen edhe 5 bashkitë e tjera.

Kolegji e pranoi kërkesën e PS, dhe la Tiranën pa afate, duke i dhënë pas 4 orësh vulën përfundimtare zgjedhjeve në 9 nëntor për 5 bashkitë, Vlorë, Cërrik, Mat, Berat e Tepelenë, afatet e të cilave i bllokuan më herët dy përfaqësuesit e PD në Komisionin Rregullator.

Me propozimet e reja të KQZ për 5 bashkitë, partitë politike dhe komitetet nismëtare për kandidatët e pavarur kanë kohë deri më 16 tetor të regjistrohen, koalicionet deri më 21, kurse kandidatët më 24 tetor. Fushata mbetet e pandryshuar, 1-7 nëntor.

Megjithatë, kjo heqje dorë e PS nga Tirana është vetëm e përkohshme.

Në rast se më 31 tetor, Gjykata Kushtetuese rrezon padinë e Veliajt dhe i jep dritën jeshile dekretit të Presidentit, atëherë PS mund ti rikthehet afateve për Tiranën në Kolegjin Zgjedhor, ose kreu i KQZ mund të shpallë afate të reja.

Ilirian Celibashi, ka pezulluar procedurat në Tiranë për shkak të vendimit të Kushtetuese, por disa ditë më parë ai paralajmëroi se mund ti organizojë zgjedhjet edhe për 9 ditë, për të kapur 9 nëntorin. Problemi i vetëm mbetet vullneti politik, kësaj radhe jo për ti organizuar, por për të mos i bllokuar.

Por pasoja më e rëndësishme politik me përcaktimin zyrtar të afateve të reja, është se Partisë Demokratike i kanë mbetur vetëm 24 orë të ndajë mendjen nese do të regjistrohet në këto zgjedhje apo jo. Kqz të mërkuren miratoi dy komitete nismëtare për kandidatët e pavarur të Vlorës dhe Beratit, çfarë do të thotë se për herë të dytë pas 2019, logoja e PD nuk do të ekzistojë në fletën e votimit dhe as në fushatë zgjedhore.

Kështu, kandidatët e pavarur rrezikojnë të mbeten vërtet të pavarur, sepse PD nuk mund ti mbështesë dot. Edhe në rast se PD regjistrohet në zgjedhje, në lojë tani kanë mbetur vetëm komisionerët dhe fondet. Pra, kandidatëve të pavarur do t’u marrë paratë, e thjesht në këmbim do tu ruajë votat.