Organizata islamiste palestineze pranoi pjesë të planit të paqes të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës Izrael-Hamas. Trump bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve izraelite.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i bëri thirrje Izraelit të ndërpresë menjëherë sulmet në Rripin e Gazës me qëllim lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi radikal islamist. Pak më parë, Hamasi i kategorizuar si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera i pranoi pjesë të planit të tij të paqes – përfshirë lirimin e të gjithë pengjeve – por në të njëjtën kohë kërkoi negociata të mëtejshme. Aktualisht, 48 pengje mbahen ende nga islamistët, përfshirë qytetarë gjermanë. Sipas informacioneve izraelite, 20 nga të rrëmbyerit janë ende gjallë.

Në platformën e tij online, Truth Social, Trump shkroi: “Izraeli duhet të ndërpresë menjëherë bombardimet e Gazës në mënyrë që të lirojmë pengjet në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë!” Ai tha se kjo është shumë e rrezikshme për momentin. Diskutimet tashmë janë duke u zhvilluar për të përcaktuar detajet. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Rripin e Gazës, por edhe me PAQEN e shumëpritur në Lindjen e Mesme”, theksoi Trump. Ai beson se Hamasi është gati për një “PAQE të qëndrueshme”.

Afati “përfundimtar” i Trumpit ishte deri të dielën

Trump vendosi të premten një afat “përfundimtar deri të dielën” për Hamasin që të bjerë dakord me planin e tij prej 20 pikash. Plani, i prezantuar të hënën, kërkon lirimin e pengjeve të mbetura dhe një tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës. Izraeli gjithashtu do të lirojë 250 të burgosur palestinezë që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm. Hamasi, i listuar si një organizatë terroriste nga shumë shtete, do të shfuqizohet dhe do të dorëzojë armët e tij.

SHBA do të ngrejë një “Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi” me partnerë arabë dhe ndërkombëtarë, thuhet më tej në planin 20-pikësh. Për më tepër, një qeveri kalimtare e përbërë nga palestinezë “jo-politikë” dhe ekspertë ndërkombëtarë do të jetë përgjegjëse për administrimin e përditshëm të Rripit të Gazës dhe sigurimin e furnizimeve për popullin. Një “Këshill Paqeje” nën udhëheqjen e Trump dhe me pjesëmarrjen e ish-kryeministrit britanik Tony Blair do të mbikëqyrë qeverinë e ekspertëve.

Paqartësitë mbeten

Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi: “Në kuadër të përgjigjes së Hamasit, Izraeli po përgatitet të zbatojë menjëherë fazën e parë të planit të Trump për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.” Izraeli do të vazhdojë të punojë ngushtë me presidentin dhe ekipin e tij “për t’i dhënë fund luftës sipas parimeve të vendosura nga Izraeli, të cilat janë në përputhje me vizionin e Presidentit Trump”. Deklarata e Netanyahut nuk i referohet thirrjes së Trump që Izraeli të ndërpresë menjëherë sulmet në Rripin e Gazës. As nuk shpjegon se çfarë përfshin konkretisht zbatimi i fazës së parë të planit të Trump.

Hamasi, nga ana e tij, deri më tani nuk ka shprehur gatishmëri për të dorëzuar armët. Megjithatë, islamistët kanë rënë dakord që, pas luftës, Rripi i Gazës fillimisht të qeveriset nga një qeveri kalimtare teknokratësh palestinezë nën mbikëqyrjen e një organi ndërkombëtar. Mbetet e paqartë, nëse Hamasi në këtë mënyrë ka rënë dakord edhe me kërkesën në planin e Trump që të mos luajë ndonjë rol.

Paqja “e arritshme”

Reagimet ndërkombëtare ndaj zhvillimeve të fundit – pavarësisht të gjitha paqartësive – ishin pozitive. Kancelari Friedrich Merz shkroi në shërbimin online X se “paqja në Gaza dhe lirimi i pengjeve janë të arritshme”. Ai shtoi se luftimet duhet të “përfundojnë menjëherë” dhe pengjet duhet të lirohen. Presidenti francez Emmanuel Macron bëri komente të ngjashme. Ai theksoi se miratimet nga Hamasi duhet të zbatohen “menjëherë”. Kryeministri britanik Keir Starmer e quajti atë një “hap të rëndësishëm përpara”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u bëri thirrje “të gjitha palëve ta shfrytëzojnë këtë mundësi”.

Lufta në Rripin e Gazës u shkaktua nga masakra e iniciuar nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023, në të cilën u vranë rreth 1,200 njerëz dhe më shumë se 250 të tjerë u morën peng në Rripin e Gazës. Sipas Hamasit, më shumë se 66,000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës. Shifrat e tyre nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur./DW