Kryebashkiaku në detyrë i Nju Jorkut, Eric Adams, ka mbërritur në Shqipëri për një vizitë zyrtare që, sipas zëdhënësit të tij, ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe turistik mes dy vendeve. Adams, i cili pak ditë më parë njoftoi se nuk do të rikandidojë për një mandat të dytë, pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama, si dhe me përfaqësues të qeverisë, parlamentit dhe sektorit privat shqiptar.

Sipas deklaratës për NBC New York, vizita e Adams do të përfshijë takime me sipërmarrës, drejtues të industrisë së teknologjisë dhe turne në fabrika, me synimin për të hapur mundësi të reja investimi dhe turizmi drejt Nju Jorkut.

“Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kryebashkiaku do të zhvillojë takime me kryeministrin Rama dhe liderë ekonomikë për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi mes dy vendeve,” thuhet në njoftim. Vizita është realizuar me ftesë të kryeministrit shqiptar, ndërsa shpenzimet e udhëtimit ajror janë mbuluar nga Bashkia e Nju Jorkut, ndërsa pritja në tokën shqiptare është siguruar nga qeveria shqiptare.

Adams është një figurë që ka tërhequr vëmendje për lidhjet e tij me komunitetin shqiptar në SHBA, i cili numëron rreth 40 mijë banorë vetëm në Nju Jork. Në qershor, ai organizoi një festë për kulturën shqiptare në rezidencën zyrtare, ndërsa në gusht u takua me ambasadorin e Shqipërisë në SHBA.

Pavarësisht polemikave që e kanë shoqëruar gjatë mandatit të tij, Adams ka theksuar se vizita në Shqipëri është “thjesht për punë” dhe synon të përforcojë marrëdhëniet ekonomike e kulturore mes Tiranës dhe Nju Jorkut.