Lamtumirë Artist- Sfidanti i Triumfit e Frikës!
Requim Homazh për kantautorin, kompozitorin e shquar të serenatave dhe Korçës, piktorin e talentuar, artistin korcar, Nonda Kajno.
Autorët e serenatave të vendlindjes time i njohin anekënd vendit, i njohin e i adhurojnë të gjithë në Korçë, Shqipëri, në internet, gëzimet familjare e në jetën e përditshme. Serenata, kudo e kurdo, që në shekujt e kaluar e deri tashmë. Përjetësisht!
Dhe sot me dhimbje e trishtim, mora penën t’i jap lamtumirën njërit prej nëndetit të mrekullueshëm të serenatave dhe Korçës sime.
Ky është Artisti i shquar korcar Nonda Kajno…
***
Mbase deri në atë çast askush nuk e mendonte se tingujt që përhapeshin nga magnetofoni, te lokali, “Sofra Voskopojare”, në qendër të Korçës, të krijonin një gjendje emocionale të shumëfishtë , ndjenjën e qetësisë, të serenitetit, të dashurisë, ku çdo varg, cdo fjalë fiton një vlerë, në tërësi, në akordet e ritmin muzikor apo në imazhe, e kishin autorin e tyre aty.
Njeriu që po vështronte nga dritarja duke kënduar me vete dhe duke buzëqeshur kohë pas kohe po me vete, sapo shikonte ndonjë fjollë bore, dritat në pemën e Vitit të ri, ndonjë grup vajzash që ecnin duke qeshur apo ndonjë djalosh që i ka shtënë krahun nënës së tij plakë duke e shëtitur nëpër rrugët e gurta të qytetit antik e mondan, “Parisit të vogël”. Modest si bukuria e Korcës ishte autori, Nonda Kajno. Tingujt përhapeshin e Nonda Kajno, i pangacmuar që të ngrihej në këmbë e të buçiste me të madhe, ashtu ishte ai modest e i pabujë, se “autori i këtyre serenatave”, ky që po i këndon këto serenata që po u magjepsin, jam unë!”, tanimë ka heshtur së kënduari me vete. Ai sapo ka nxjerrë nga xhepi një libërth me poezi dhe është përthithur atje. Janë lirika të ndonjë korçari apo devolleshe që atë po e tërheqin më shumë se sa ngucja për t’u thënë të gjithëve në lokal se “Jam unë!” I ka vetëtitur në mëndje të krijojë një serenatë të re nga poezitë që ka libërthi që po lexon ndërsa lokali përhumbet duke u nanuritur nga serenatat. Mbase autori apo autorja e atij libri pak njihet, por, ja, pas nja dy ditëve, nga Nonda Kajno, poezia e tij apo asaj, ka për të marrë trajtat e një serenate të kënduar nga ai. Ajo ka për të magjepsur korçarë dhe jo-korçarë ngado, fort, papushim, si një puthje përvëluese dashurie, dhe, mbase rrallëkush ka për ta ditur se nga shpirti i kujt ka dalë kjo perlë e re.
Nonda Kajno- artisti korçar që beson në aftësinë e arteve;në pikturë e në veçanti në muzikë është përfaqësues tipik i qytetarisë korçare; e këtij qyteti që e tërë raca e shqiptarëve e quan “Parisi i vogël” Ai është edhe piktor, edhe kompozitor, edhe këngëtar dhe preket menjëherë nga bukuria njerëzore dhe nga dhimbja njerëzore, si një adoleshent që bie në dashuri për herën e parë… Nonda rrjedh nga një familje,- më e vjetra aristokrate korçare, fisi-KAJNO-të njohur si tregtarët më të mëdhenj të kohës jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej, në Ballkanin Juglindor. I rritur mes dashamirësve a pasionantëve për artin e muzikën, djaloshi korçar filloi të kompozonte që në vitet e para të shkollës së mesme. Edhe kur familja e Nondës u godit nga regjimi komunist, kjo nuk e zbehu talentin e tij, por ai arriti të ngjitet në majat e suksesit në qytetin e tij të lindjes, që ai e do aq shumë, -Korçës. Nëna e Nondës është quajtur Izmini. Në kohën kur kishte shumë gra që mbylleshin me perçe, që e ngrysnin jetën në shtëpi dhe që u gëzoheshin thashethemeve, ajo ka qenë violinistja e piktorja e talentuar korçare, zotëruese në mënyrë perfekte e tre gjuhëve të huaja, nxënëse në kursin e pikturës të piktorit famos, Vangjush Mio, mike, shoqe e ngushtë banke e në jetë, e mitit të këngës korçare, Tefta Tashko Kocos. Këto dy pasione Nonda i trashëgoi nga nëna e tij. Ndërsa babai përveçse një biznesmen i suksesshëm i kohës, nuk iu nda edhe pasionit për muzikën, e cila zinte një vend kryesor në shpirtin e tij, duke regjistruar në pllaka gramafoni këngët dhe meloditë e sazexhinjve të Korçës, së bashku me këngëtaren e asaj kohe Qerimenë. Ato janë edhe sot e kësaj dite të ruajtura në arkivin e Radio Korçës. Që këtu e kanë zanafillën, rrënjët e krijimtarisë së kantautorit Nonda Kajno. Në vitin 1965, Nonda me talentin, vizionin dhe pasionin për muzikën, së bashku me shokët e tij, djem të rinj plot ëndrra e shpresa, adhuruese të mjaft këngëtarëve italianë që nga Toto Kotunja, Modunjo, Celentan, Mina, Milva, si edhe grupet amerikane të asaj kohe; Bitëllsat, Rrollingstone, arriti të formojë orkestrën e parë ritmike në Shqipëri me tre kitara elektrike e një bateri. Grupim që kishte mes tyre edhe tre vajza korçare të emancipuara, mes tyre këngëtaren e muzikës së lehtë, Fatbardha Hoxha.
Ky grupim, do të bëhej shumë shpejt i famshëm, jo vetëm në Korçë, por në tërë Shqipërinë. Kudo sukses. Kudo duartrokitje. Ishte hera e parë që dilte një grup i tillë me përmasa perëndimore. Altoparlantët gjëmonin. Salla, mbushej plot e përplot. Ishte muzika që i përkiste rinisë. Suksesi i grupit, u imitua vite më vonë, nga grupi i disa të rinjve gjimnazistë në Tiranë. Por muzika ritmike e Nondës do të binte në sy të sistemit komunist duke e quajtur atë, muzikë dekadente-borgjeze. Duke qenë edhe me “cen” në biografi, ai regjim nuk do e kursente djaloshin korçar. Goditja e Festivalit të 11’të nga rrëgjimi komunist, do të ndëshkonte edhe artistin korçar, duke pësuar të njëjtin fat të artistëve të njohur. Për një kohë të gjatë ai punon në minierë e bujqësi. Më vonë punon në disa ndërmarrje si drejtues i aktiviteteve kulturore. Grupet që ai drejtonte me profesionalizëm e mjeshtëri, kanë fituar çmime në disa festivale. Me durim e shpresë, pjekuri, urtësi e maturi, pjesë të karakterit të kantautorit korçar, -Nonda-do të ringrihet përsëri. Kësaj radhe ai shpërthen me këngën; Lida, Lida!I dyzuar mes triumfit dhe frikës, Nonda sfidoi. Ai iu dha kënaqësinë e rikthimit në skenë, rinisë korçare që mezi e kishte pritur. Ajo rini, që për vite me radhë kishte kënduar këngët e tij, nën zë, apo në familje, në gëzime familjare, tani e duartrokiste dhe gumëzhinte nga britmat e gëzuara. Mbas viteve ’90 Nonda, filloi të ndjehej më i lirë. Sapo kishin filluar lëvizjet demokratike, ai jep koncertin e parë recital te Teatri;” Andon Zako Cajupi”për gjashtë net me radhë. Në korrik të vitit 1994 jep përsëri Koncert Recital te pishinat e qytetit, ku përsëri të ftuar ishin humoristët Koco Devole, Rita Kati e Met Bega.Mbas dy muajsh jep koncerte në disa qytete të Shqipërisë me grupin amerikan “Ëatch Band”.Në vitin 1996, jep përsëri koncert te Pallati i Sportit “Tamara Nikolla”, ku të ftuar ishin përsëri këngëtarët ;Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, grupi “Ritfolk” e drejtuese e Spektaklit, Miss Albania e atij viti, Monikoa Zguro. Pjesëmarrës në Festivalet e Radio-Televizionit shqiptar dhe “Këngët e stinës”, ku është edhe fitues i disa çmimeve, falë bashkëpunimit të shkëlqyer që pati me grupin “Ritfolk” dhe me këngëtarën Mira Bregu. I vlerësuar me çmim në “Fest Serenata”, me kompozimin “Lermë të të puth”, që u këndua nga këngëtarja e talentuar e serenatave korçare, Ermira Kola, me të cilën Nonda pati një bashkëpunim disavjeçar.
Vazhdon të bashkëpunojë me këngëtarë të mirënjohur si brenda e jashtë vendit, si këngëtaren e shquar korçare, ikonën e këngës popullore e serenatave korçare, Eli Fara, Laxarela Deti, me tenorin me famë botërore, Kastriot Tushën, me një; “Serenatë për Qytetin e serenatave”, “Qyteti i ëndrrave”, Manjola Nallbanin, Ardit Gjebrea, Elsa Lila, vëllezërit Endri e Stefi Prifti, e deri te këngëtarja më e re, Anjeza Shahinin. I ftuar në Festivalin Tradicional Europian Rinor që zhvillohet në Torino të Italisë, ku mes 56 konkurrentëve, kënga e kompozuar nga kantautori Nonda Kajno, zë vendin e tetë. Dhe përsëri në nëtor të vitit 2007, kënga e tij “Ëndërroj”, e kënduar nga këngëtarja shqiptare Elsa Dega, me banim në Romë, zuri vendin e parë në të gjitha komponentët e saj. Këngët e kompozuara, kryesisht serenata, nga Nonda Kajno, janë nga më të klikuarat në internet në programet, “Ilike & Youtube”, krahas këngëtarëve me famë botërore; Madona, Celion Dion, Mariah Carey, apo e Anjeza Shahini si fituese e Festivalit Europian.
Sot kantautori korçar Nonda Kajno, përveç punës së tij të palodhshme në kompozimin e serenatave, drejton edhe Agjencinë e “Spektakleve Korca”.Gjithmonë me përkushtimin e kujdesin e tij, për të mos e deformuar serenatën, këtë pjesë qënësore të Korçës. Muzika rrjedh ëmbël! Jeta ecën. Nonda Kajno ecën me vrullet e përditshme të jetës dhe me një brengë në shpirt. Nëna e tij, Izmini nuk rron më. Nuk rron sot. Nonda psherëtin dhe sytë e tij të hirtë përloten. -Të më shihte nëna ime! Sado suksese të arrij, atyre u mungon dora e ëmbël e nënës sime, me të cilën fjalosesha netëve ndërsa bota më godiste… Por gjithsesi e bukura Izmini mundi ta shikonte birin e saj të ngrihej në skenë. Të ringrihej atje. Pas kësaj, ajo dha shpirt. Për t’u prehur e qetë në botën e amshuar. Nonda e do shumë Korcën. Këtë dashuri ai e përjetoi në një himn, që ia ka dedikuar asaj, dhe këndohet ngado, jo vetëm nga rinia korçare, por edhe nga i madhi e i famshmi, Kastriot Tusha: ”O Korçë e dashur, po të këndoj këtë serenatë, mall edhe brengë, kur un’ jam larg e ndiej për ty. O Korça ime, po të këndoj i përmalluar, këngën më të bukur, me sy të përlotur po të këndoj, Korça ime e dashur…” Kjo është një nga këngët më të bukura, krenaria e korçarëve. Nonda Kajno, është krenaria e këtij qyteti. Poetë dhe poetesha të bukuroshes së gëzuar, Korçës sime që ma trishtojnë nganjëherë! Shkruani lirika! Shkruani lirika të bukura, shumë të bukura, që të dalin vetiu nga shpirti sic dalin vetiu lulet e pranverës në livadhe pa pyetur askënd, siç dalin vajzat e Korçës me fustane pranverore nënë blirët e Korçës duke pyetur vetëm pranverën dhe…Ta dini ato do të shkojnë menjëherë drejt e në shpirtin e faunës së papërsëritëshme të nëndetit të Korçës sime; në shpirtin sensibël të Nonda Kajnos.. Ai do të kompozojë gjëra të bukura, serenata të shpejta si rinia dhe magjepsëse si dashuria që ka mbërthyer si një shpend i artë poeteshën apo poetin korçar dhe që po e shëtit nëpër retë e trëndafilta.
*Shkruar nga Raimonda MOISIU-SADE
Korcë –Shqipëri
2011