Italia do të paraqesë një propozim për një armëpushim mbarëbotëror në Kombet e Bashkuara përpara Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina të vitit të ardhshëm. Lojërat Milano-Cortina hapen më 6 shkurt dhe do të zgjasin deri më 22 të po atij muaji. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani tha se propozimi ka synim të prekë të gjitha konfliktet aktuale, nisur nga ato më të përgjakshmet, Lindja e Mesme dhe Ukraina.

“Ne duhet të jemi kampionët e paqes”, tha Tajani në një konferencë në Romë, teksa mbështeti planin me 20 pika të Donald Trump për fundin e luftës në Gaza.

Një rezolutë zyrtare do t’i paraqitet Organizatës së Kombeve të Bashkuara përpara Lojërave, duke kërkuar një periudhë armëpushimi gjatë së cilës luftimet ndërpriten, civilët marrin më shumë ndihma humanitare dhe bisedimet e paqes zhvillohen intensivisht. Propozimi duhet të votohet në Asamblenë e Përgjithshme, zakonisht në dhjetor si pjesë e një tradite para Lojërave Olimpike. Megjithatë pavarësisht rezultatit, plani nuk përbën detyrim, por ka një peshë simbolike dhe diplomatike.

Si koncept, një armëpushim global gjatë Lojërave Olimpike daton që nga lojërat e lashta në Greqi, ku fraksionet ndërluftuese binin dakord të ulnin armët gjatë gjithë kohës së ngjarjes së rëndësishme, në mënyrë që atletët të mund të udhëtonin të sigurt për në Olimpian e lashtë.

Megjithatë thirrjet nga organizatorët e Lojërave Olimpike dhe Kombet e Bashkuara për armëpushim global nuk janë marrë parasysh me rastin e Lojërave të epokës moderne që nga viti 1896, përfshirë Lojërat Olimpike të Parisit 2024.