Kandidatja për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar një takim me pedagogë të universiteteve publike dhe jopublike, për të bashkëbiseduar mbi perspektivën dhe idetë e tyre për mbarëvajtjen e kryeqytetit, por edhe për të ndarë me ta një program konkret për ta bërë Tiranën një qytet edhe më të jetueshëm për të gjithë.
“Bashkia do të jetë kampione për “Paktin për universitetin”, sepse ka më shumë nevojë për bashkëpunim dhe mbështetje për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, por edhe për përfshirjen e praktikave më të mira në punët e Bashkisë, për adresimin e sfidave me të cilat përballet sot qyteti. Kontributi juaj është i drejtpërdrejtë, ndaj kam nevojë të kuptoj perspektivën tuaj si qytetarë, profesionistë dhe si njerëz që e doni Tiranën; si kontributorë në formimin e brezit të ri dhe profesionistëve të së ardhmes; si pedagogë që keni dijen, aftësitë dhe mundësitë që mund t’i vini edhe në shërbim të Tiranës”, tha Manastirliu.
Shfrytëzimi më i mirë i hapësirave urbane, një studim i mirëfilltë mbi trafikun, vendosja e linjave urbane për nxënësit dhe studentët apo akomodimi i studentëve, ishin disa nga propozimet e pedagogëve, për t’u përfshirë në projektet e Bashkisë së Tiranës. Një ndër projektet që Manastirliu ndau me ta, është edhe ai për zhvillimin e hapësirave të çliruara dhe superblloqeve.
“Do të punojmë për superblloqet, si modele shumë interesante se si të organizohet një bllok banimi që të bëhet i jetueshëm, duke e pasur perspektivën te këmbësori, në ngritjen e një këndi lojërash, në vendosjen e stolave për të moshuarit dhe duke krijuar korridore për shërbimet”, u shpreh kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu.
Bashkëbisedimi me pedagogët është në vijim të turit të takimeve #PërTiranën2030 të kandidates së Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu.