Këshilli i Lartë i Prokurorëve, KLP, në mbledhjen e sotme ka miratuar listën me 4 kandidatë për kreun e ri të SPAK.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat raporton se miratimi është bërë me 10 vota pro. Në mbledhje mungonte vetëm Zeqir Hodaj.
Hodaj u largua me argumentin e konfliktit të interesit sepse i biri është emëruar në BKH, nga një prej kandidatëve Klodian Braho.
“Unë nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë, unë kërkojë t’i jepet kohë edhe Këshillit edhe vetes për të marrë një vendim në lidhje me këtë situatë. Unë vlerësoj që duhet të largohem nga zhvillimi i seancës për këtë çështje. Edhe pse çështje formale duhet të largohem nga votimi për të marrë kohën e duhur për një proces të rregull ligjorë”, u shpreh Zeqir Hodaj. Sokol Stojani kryetari i komisionit të zhvillimit në KLP, theksoi se janë 4 kandidatë në garë.
“Janë katër kandidatë në garë, të jenë prokurorë të SPAK, të mos jenë drejtues të kenë paraqitur platformë dhe të mos këtë masë disiplinore. Të 4 kandidatët i plotësojnë kushtet për të garuar për të qenë në krye të SPAK, Adnan Xholi, Doloreza Musabelli, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho”, u shpreh ai. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se do t’i propozohet këshillit miratimi i kandidatëve për të qenë në krye të SPAK.