Kryeqyteti shqiptar mirëpriti mbi 5 mijë garues nga 56 vende të botës, duke e kthyer Tiranën në kryefjalë për edicionin e 9-të të Maratonës së Tiranës. “Maratona e Tiranës” ishte një festë e madhe që mblodhi mijëra vizitorë. Gara klasike, tasmë një traditë në kryeqytetin shqiptar bëri bashkë pjesëmarrës nga kategori të ndryshme, pa përjashtuar askënd.
Detyrimi dhe kënaqësia janë që ta nisim me Erblin Karajn, i cili, pavarësisht aftësisë së kufizuar, jo vetëm mori pjesë, por edhe fitoi vendin e parë në kategorinë “We Too”, dedikuar personave me aftësi ndryshe. Sportistët nga Kenia dominuan këtë edicion, si për meshkuj, ashtu dhe për femra. Bernard Kiprotich fitoi maratonën për djem, e për femra ia doli Çelangat Sang, ndërsa në podium u ngjitën vetëm atletët kenianë.
Në kategorinë 10 km, vendin e parë e mori Adam Lomb nga Hungaria, ndërsa në gjysmë-maratonën prej 21 km, triumfoi keniani Kiptum.
Në garë ishin edhe atletë nga Shqipëria, si dhe shqiptarë të diasporës. Një ndër ta ishte Donald Cama, 40-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara, I cili tregoi për Abc-në emocionet e tij. Ndër pjesëmarrësit ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në garën 21 km.
Taulant Stërmasi, ish-kreu i Atletikës Shqiptare dhe një nga organizatorët e maratonës, u shpreh se pjesëmarrja ndërkombëtare po e kthen Shqipërinë në një destinacion të njohur për turizëm sportiv. Maratona duket zgjoi edhe interesin e qytetarëve. Për rreth 4 orë, garuesit përshkuan itenerarin përreth sheshit “Skënderbej” dhe pjesë të tjera të qytetit. Gjatë garës u shënua edhe një incident: një garues italian 52-vjeçar pësoi arrest kardiak, por, falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.