Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper ka konfirmuar angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet në Ballkanin Perëndimor gjatë samitit të nivelit të lartë në Irlandën e Veriut.
Ajo mirëpriti ministrat e Jashtëm nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Në takimet më 8 dhe 9 shtator në kuadër të Procesit të Berlinit, Kosova është përfaqësuar nga ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla. Ndërkaq, Serbia u përfaqësua nga ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq. Në takimin në Kështjellën Hillsborou morën pjesë edhe aleatët evropianë, sikurse Franca, Austria, Greqia dhe Italia.

Në fillim të takimit më 9 shtator, Cooper dhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, mirëpritën përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor.
Brenda Kështjellës, Cooper tha se ky vend është simbol i paqes, përparimit dhe pajtimit pas procesit historik të paqes me Irlandën e Veriut në fund të viteve ’90. Ajo u tha të pranishmëve se Mbretëria e Bashkuar “ka një angazhim të kamotshëm dhe të qëndrueshëm për stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien në Ballkanin Perëndimor”.