Angazhimi i përbashkët për garantimin e aksesit të sigurt dhe të kontrolluar në barna, do të mundësojë jo vetëm mbulimin e vazhdueshëm, por edhe forcimin e standardeve të cilësisë dhe transparencës për qytetarët shqiptarë.
Me këtë fokus, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof.Evis Sala, zhvilloi një takim me Unionin e Biznesit të Farmaceutikës, ku theksoi forcimin e dialogut dhe angazhimin e përbashkët për përmirësimin e këtij sektori jetik.
“Jemi të vetëdijshëm që sektori ka sfida e nevoja për përmirësime. Do të ngrejmë një grup pune për të analizuar e përmirësuar sektorin e farmaceutikës, për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit për pacientët”.
Ministrja Sala tha se po punohet për një mjedis transparent dhe të parashikueshëm, ku bizneset të ndihen partnerë të vlerësuar, të mbështetur dhe të barabartë, ndërsa parlajmëroi tolerancë zero ndaj abuzuesve.
Takimi me Unionin e Biznesit të Farmaceutikës vjen një ditë pas mbledhjes që ministrja Sala zhvilloi me Shoqatën e Përfaqësive Farmaceutike, në kuadër të një bashkëpunimi afatgjatë dhe produktiv, ku zëri i industrisë dëgjohet dhe përfshihet në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes.
Përmes bashkëpunimit me industrinë e farmaceutikës, synohet përmirësimi i politikave të barnave, si dhe rritja e eficiencës dhe transparencës në çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit. Qëllimi afatgjatë është krijimi i një ekosistemi të qëndrueshëm farmaceutik, ku inovacioni, cilësia dhe përgjegjshmëria ecin krah për krah në shërbim të shëndetit publik.