Kristina Palloshi është rasti më i veçantë i një studenti që gjejmë në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit. Edhe pse prej 2 vitesh Kristina është duke zhvilluar betejën e saj me kancerin e gjirit, ajo vendosi të studiojë infermieri, pikërisht për të ndihmuar ata që si ajo luftojnë për jetën. Edhe pse për 4 pikë Kristina nuk fitoi infermierinë, ajo sërish nuk u dorëzua.

“Për fatin tim të keq, për 4 pikë nuk arrita të fitoj degën e infermierisë. Pse këtë degë do thoni ju. Sepse si unë gjeta mbështetje tek doktorët edhe unë do doja të kontribuoja tek personat që kanë nevojë për të pasur një jetë sa më të lehtë”, shprehet Kristina Palloshi.

Nga kimioterapia në Universitet, ky është mesazhi më i bukur i shpresës dhe dashurisë për jetën. Mesazh që 50 vjeçarja nga Skëndërbegasi i Gramshit do ta ndajë me gratë e vajzat.
“Kanceri i gjirit nuk pyet për moshë për status, por nuk pyet as për planet që ne kemi”, thotë Kristina Palloshi.

“Nëse unë do të kisha bërë një kujdes më të hershëm shëndetësor nuk do kisha arritur në dy operacione shumë të rënda. Është më mirë të parandalosh sesa kurosh”, shton ajo.
Tetori rozë nuk është thjesht një muaj kalendarik. Është thirrje për çdo nënë, çdo grua të kujdeset për trupin e saj dhe jo nga frika, porn ga përgjegjësia. Tetori rozë nuk kërkon mëshirë, por veprim. Nuk duhet të heshtim, por të flasim. Të kujdesesh për shëndetin nuk është egoizëm, por është akt dashurie për veten dhe për personat që na rrethojnë.

Me forcën e madhe që i jep mbështetja e familjes, por padyshim me mijëra vështirësi shëndetësore dhe ekonomike që sjell sëmundja e rëndë, Kristina ka zgjedhur jetën.

Nga Top Channel