Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka reaguar pas dy fitoreve të fundit të kuqezinjve: 0-1 ndaj Serbisë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026 dhe 4-2 ndaj Jordanisë në miqësoren e zhvilluar së fundmi në Tiranë.

Braziliani ka shprehur entuziazmin e tij për këtë periudhë pozitive të skuadrës dhe ka vlerësuar angazhimin e lojtarëve.

“Sapo kemi mbyllur një tjetër periudhë të shkëlqyer së bashku, me rezultate shumë pozitive. Jo vetëm për shkak të dy fitoreve të rëndësishme, por falë përpjekjes, performancës, përkushtimit dhe punës në skuadër të gjithsecilit,” shkroi Sylvinho në rrjetet sociale.

Me një mesazh të shkurtër, por domethënës, trajneri i kuqezinjve u shpreh i kënaqur me ecurinë dhe shpirtin luftarak të ekipit: “Vazhdojmë përpara kështu… gjithmonë me shpirt dhe zemër. Forca Shqipëri!”.

Fitorja në Beograd ndaj Serbisë ka qenë historike, ndërsa suksesi ndaj Jordanisë i dha mundësi Sylvinhos të testojë edhe alternativa të reja për ndeshjet e ardhshme, në prag të fazës përmbyllëse të eliminatoreve drejt Botërorit 2026. Kombëtarja shqiptare mbetet në formë dhe me moral të lartë për sfidat e radhës.