Gjithçka po bëhet gati për ditën e hënë, kur firmoset formalisht marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit për zbatimin e fazës së parë të planit të Donald Trump për paqe në Gaza.

Presidenti amerikan do të jetë vetë i pranishëm në ceremoni, në Sharm el Sheikh të Egjiptit. Atij do t’i bashkohen edhe liderë europianë si kryeministri britanik Keit Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Ky i fundit pritet të flasë për zgjidhjen me dy shtete, që është kundërshtuar hapur nga Izraeli.

Ndërkohë në Izrael po pritet me padurim lirimi i pengjeve. Në një tubim masiv në Tel Aviv morën pjesë edhe i dërguari i Trump për Lindjen e Mesmen, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan.

Ata iu drejtuan turmës duke përgëzuar arritjet e presidentit amerikan dhe theksuan nevojën për paqe. Nga ajo që i kuptua në këtë tubim, izraelitët ia japin meritat për arritjen e një marrëveshjeje presidentit Trump dhe jo kryeministrit të tyre Benjamin Netanyahu. Sa herë emri i këtij të fundit përmendej, turma shpërthente në ovacione negative.

Ndërkohë palestinezët të lodhur nga lufta dy vjeçare po kthehen në veri të Gazës, nga ku ishin larguar pasi Izraeli intensifikoi sulmet. Sipas agjencisë së mbrojtjes civile të drejtuar nga Hamasi, 500 mijë palestinezë janë kthyer deri tani në veri, ku nuk kanë gjetur shumë veç rrënojave të shtëpive të tyre.

Nga ana tjetër në pikën kufitare Rafah, mes Gazës dhe Egjiptit, kamionët e ndihmave janë rreshtuar duke pritur të hyjnë në enklavë. OKB tha se ka gati ndihma të mjaftueshme për tre muaj për gjithë popullsinë e enklavës dhe theksoi se hyrja e saj është jetike për gjithë Gazën.

Faza e parë e marrëveshjes parashikon lirimin e pengjeve, që pritet të ndodhë këtë të hënë, tërheqjen e trupave izraelite në vijën e rënë dakord në hartën e planit dhe hyrjen e ndihmave në enklavën palestineze.

Aktualisht është në fuqi një armëpushim, që bëri të mundur ndalimin e sulmeve që përgjatë dy viteve, vranë më shumë se 67 mijë palestinezë dhe plagosën qindra mijëra të tjerë.