Rusia ka përmirësuar raketat balistike “Iskander-M” dhe “Kinzhal”, duke rritur ndjeshëm aftësinë e tyre për të shmangur sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, sipas një raportimi të Financial Times.
Burimi citon zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë, të cilët konfirmojnë se përmirësimet lidhen me software të avancuar që u mundësojnë raketave të ndryshojnë trajektoren në momentet e fundit të fluturimit.
Sipas FT-së, efektiviteti i këtyre raketave është rritur ndjeshëm: në shtator, Ukraina rrëzoi vetëm 6 për qind të raketave balistike të lëshuara nga Rusia, krahasuar me 37 për qind në gusht – pavarësisht se numri i raketave të lëshuara ishte më i ulët.
Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar për Financial Times se të paktën katër fabrika të prodhimit të dronëve, përfshirë objektin që prodhonte dronët turq Bayraktar në Kiev, janë goditur rëndë gjatë verës.
Një sulm më 28 gusht dëmtoi gjithashtu zyrat e Delegacionit të BE-së dhe të Këshillit Britanik pranë një kompanie që zhvillonte komponentë për dronë.