Nga Jakin Marena
Në pritje të dekretimit nga ana e presidentit Bajram Begaj të datës së të zgjedhjeve të parakohëshme për kryetar bashkie në Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, Presidenti e shpalli në fakt 9 nëntorin si datën e zgjedhjeve të parakohëshme në këto 6 bashki, PD po lëviz ethshëm për të gjetur kandidatët që do të garojnë në emër të opozitës!
Ndërsa ende nuk e ka marrë veten nga ‘trauma’ e shkaktuar për shkak të lëvizjes së beftë të kreut të mazhorancës Edi Rama, i cili hapi rrugën për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kreut të bashkisë së kryeqytetit për shkak se prej 7 muajsh gjendet në paraburgim, PD e zënë gafil po përballet me një refuzim thuajse total të figurave potenciale për të garuar sidomos në Tiranë, përballë kandidates së PS, Ogerta Manastirliu! E cila tashmë e ka filluar fushatën, ka numrin dy të qeverisë Belinda Balluku si drejtuese të fushatës dhe ka nisur takimet elektorale!
Që në krye të herës PD u përball me refuzimin e prerë të dy prej figurave më potenciale në PD që mund të mblidhnin vota, Jorida Tabaku e Ilir Alimehmeti! Tabaku deklaroi se do t’i përkushtohet jetës parlamentare, duke mbajtur mandatin e vetëm të fituar nga gara elektorale me listën e hapur në kryeqytet, ndërkohë që Alimehmeti refuzoi të jetë kandidat për kryebashkiak me argumentin se është me afat kohor vetëm një vit si projekt, duke deklaruar se ai do të jetë në garë në emër të opozitës vetëm në zgjedhjet e rregullta për pushtetin vendor të vitit 2027! Po deshi Berisha dhe atëherë, kuptohet!
Praktikisht Alimehmeti në mënyrë idirekte, me refuzimin e tij, ka lënë për të kuptuar se ai nuk është gati që të ‘digjet’ përballë Manastirliut, pasi humbja e thellë në zgjedhjet para kohe në kryeqytet është e garantuar! Ndaj i tha ‘jo’ Berishës, duke e garantuar se është gati të kandidojë vetëm pas dy vitesh!
Ndërkohë që janë vetëofruar deputetët Edi Paloka dhe Klevis Balliu, por që nuk ka asnjë shans që të kandidojë asnjëri prej tyre, sepse nuk mbledhin vota! Nga ana tjetër, flukset brenda dhe larg PD, por të lidhura me opozitën, jo pa ironi kanë kërkuar që të garojnë ‘peshat e rënda’ të kësaj partie, duke përmendur në këtë rast numrin dy të PD, Flamur Noka si dhe deputeten Albana Vokshi! Kërkesa këto që dihet se do të refuzohen, pasi ata nuk kanë mbështetje në elektorat, dhe për më tepër që janë në Kuvend dhe në kupolën e PD për shkak të devotshmërisë ndaj kryetarit Sali Berisha dhe për asgjë tjetër, pssi kudo që t’i ‘pilotosh’ në garë të hapur, s’fitojnë!!
Ka dhe kandidatura të tjera të vetëofruara, si zyrtarja e lartë e kësaj partie, Adriana Kalaja, ish drejtuesja e burgut të grave në kohën e qeverisjes së PS Xhoi Jakaj si dhe kreu i konservatorëve e aleat i Berishës në zgjedhjet e 11 majit, Kujtim Gjuzi, por që nuk janë marrë në referencë nga PD dhe opozita. Prandaj, këta emra deri më tani dhe më tutje kanë kanë shërbyer dhe do të shërbejnë thjeshtë e vetëm si objekt humori nëpër studiot televizive dhe rrjetet sociale! Pasi e kanë ulur së tepërmi ‘stekën’ e përfaqësimit të PD në garën elektorale në Tiranë!
Negociatat e PD me partitë opozitare, të cilat kanë kërkuar konsensus për një kandidaturë jashtë politikës, janë përqëndruar këtë të mërkurë në shqyrtimin e tre kandidaturave, për të përzgjedhur sipas gjasave njërin prej tyre! Pasi e ‘rrotulluan nëpër gojë” për disa ditë emrin e Pano Sokos të dorëhequr nga Nisma Thurje, duke e lënë përfundimisht jashtë garës për të qënë ai përballë Manastirliut, vëmendja tashmë është përqëndruar në 3 emra të tjerë, përkatësisht të Edlira Çepanit, që njihet si aktiviste e shoqërisë civile, Ermal Hasimja që është politolog, si dhe Florian Haçkajt i “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”! Çepani është bashkëshortja e ish deputetit dhe zyrtarit të ndjerë të PD, Gerti Bogdani, i cili u nda papritur nga jeta përmbi një vit më parë!
Vetëvetiu lind pyetje se, përse PD dhe opozita po kërkojnë kandidatura për Tiranën, jashtë rrethit politik, duke iu drejtuar shoqërisë civile si dhe njerëzve që nuk bëjnë pjesë në strukturat e PD?!
Teksa shohim historikun e garës për kreun e bashkisë së Tiranës që nga viti 1993 e deri në këto momente, ajo që është vënë re është se, PD ka garuar gjithnjë në Tiranë kandidatë me peshë të fortë politike e në parti, pasi Tirana ka specifikë të veçantë sepse përbën më shumë se gjysmën e votuesve në Shqipëri. Por ka dhe rëndësi strategjike për një parti politike apo grupim politik, sepse kush merr Tiranën ka një ‘bonus’ më tepër për të fituar zgjedhjet në rang vendi! Qytetarët e Tiranës besojmë se i mbajnë mend kandidatura të tilla të PD në garën për kryeqytetin, duke filluar që nga Besnik Mustafaj e Spartak Ngjela e deri te Sokol Olldashi, Lulzim Basha e Halim Kosova, të cilët në kohë të ndryshme kandiduan për kryetarë bashkie në Tiranë!
Tashmë ‘epoka’ e kandidatëve me peshë politike për kryeqytetin në PD ka marrë fund, pasi nuk ka asnjë të tillë kjo parti! Nuk kanë kë të kandidojnë, pavarësisht rëndësisë që paraqet kryeqyteti dhe që për hir të së vërtetës garuesi për Tiranën, në rastin më të mirë garuesi, është kandidati potencial për të drejtuar PD-në në rang vendi nëse merr një rezultat konkurrues, kurse në një rast hipotetik fitues për opozitën shqiptare, garon dhe për të qënë kryeministër! Themi hipotetik, pasi realisht opozita s’ka asnjë shans që as për dekadën ardhshme që të fitojë asnjë palë zgjedhje!
Duke qënë se PD dhe opozita janë në rënie të lirë, madje nuk kanë asnjë shans që të ngushtojnë as diferencën e zgjedhjeve të kaluara përballë Veliajt me mbi 60 mijë vota më shumë në Tiranë, PD nuk po kërkon një kandidat humbës brenda kupolës së partisë për ta ‘sakrifikuar’ përballë Manastirliut, pasi ata që mund të marrin ndonjë votë e refuzuan garën, po kërkon një kandidat ‘viktimë’ për ta bërë ‘kurban’ jashtë ‘çatisë’ së PD, duke e dërguar ‘paketë’ drejt ‘makinës grirëse’ elektorale të PS!
Ndoshta mund të zgjedhë mes këtyre tre emrave, njërin më të përshtatshëm. Fundja ‘viktimë’ do të jetë, pasi e ka humbjen e thellë të garantuar në kryeqytet! Berisha do ta ketë më kollaj për ta kaluar dhe këtë radhë humbjen rrënuese, duke u justifikuar me faktin se kishte kërkuar dhe marrë konsensusin e partive të tjera opozitare, aleate ose jo, kishte pranuar kushtet e tyre për një kandidat jashtë PD, ndërkohë që dhe humbjen do ta ‘përpjestojë’ detyrimisht me ta! Do të ndajë me partitë opozitare këtë barrë të rëndë humbjeje, e cila e ka shoqëruar për 12 vite me radhë dhe parashikohet që ta shoqërojë dhe për vite e vite të tjera në dekadën e ardhshme! Paçka se pjesën më të madhe të partive opozitare parlamentare i ka pjesë të listave të PD për deputetë!
Jo se pyet njeri Berisha për kandidatët apo të punët e tjera në PD! Nëse do të kishte një kandidat potencial brenda partisë, të gatshëm për t’u ‘sakrifikuar’ siç bëri dikur Olldashi apo Mustafaj më parë, madje dhe Këlliçi zgjedhjet e kaluara që lanë mandatin e deputetit apo punën si diplomat për të kandiduar në emër të partisë, Berisha do ta kishte caktuar në garën për Tiranën, pa pyetur njeri! Siç ka bërë gjithmonë! Do ta kishte mbyllur si proces deri më tani, jo të ndërmerrte këto takimet formale përmes grupit tresh negociator Këlliçi-Alimehmeti-Ndoka me partitë opozitare, teksa i bie bretku duke i këshilluar çdo sekondë, siç e ka zakon! I binte shkurt, me një fjalë!
Por tani i duhet pak ‘qetësi’ deri në humbjen e radhës në vendoret e 2027, dhe për momentin ka zgjedhur që humbjen e thellë të Tiranës t’ia faturojë kandidatit, por dhe ta përpjestojë me partitë e tjera opozitare të cilave ka krijuar përshtypjen e rreme, sikur u ka kërkuar mendim për të gjetur ‘viktimën’ e radhës që ta çojë në ‘thertoren’ elektorale të PS në kryeqytet si ‘kurbanin’ e radhës! Varet kush është gati që të shkojë me vullnetin e vet të lirënë këtë garë humbëse në Tiranë! Ndoshta dhe për 5 bashkitë e tjera që që do të zhvillojnë zgjedhje më 9 nëntor!