Pak kohë më parë u kurorëzua me sukses ekspedita e 15-të shkencore e Kinës në Oqeanin Arktik, e organizuar nga Ministria e Burimeve Natyrore e Kinës. Ekspedita, që u krye bashkërisht nga katër anije: “Xuelong-2”, “Jidi”, “Shenhai-1” dhe “Tansuo-3”, është ekspedita më masive shkencore e Kinës në Oqeanin Arktik deri tani.
Gjatë ekspeditës, Kina përfundoi me sukses “udhëtimin akullthyes” të hulumtimit me anë të zhytjes në thellësi me njerëz për herë të parë në ujërat e ngrira polare në polin verior të Tokës, duke shënuar hyrjen në një etapë të re të zhytjes në thellësi dhe të eksplorimit polar nga ana e Kinës, me “operacionin në hapësirën e plotë detare”.
Në korrik të këtij viti nisi zyrtarisht udhëtimi i parë i zhytjes në thellësi me njerëz në rajonet polare. Në fillim të gushtit, anijet “Xuelong-2” dhe “Shenhai-1” u takuan në Oqeanin Arktik, dhe më vonë “Shenhai-1”, që mbante mjetin zhytës “Jiaolong”, lundroi me sukses në zonën e operacionit dhe “Jiaolong” filloi zhytjen e vet të parë në Arktik.
Suksesi i zhytjes së parë është vetëm pikënisje, ndërsa gjatë këtij udhëtimi, më shumë “të para botërore” kanë lindur njëra pas tjetrës në ujërat polare, dhe problemet teknike, si komunikimi akustik nënujor dhe pozicionimi i saktë janë kapërcyer njëri pas tjetrit.
Xu Xuewei, zv.drejtor i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Bazës së Thellësive Detare, tha se “Jiaolong” ka arritur zhytjen e parë në thellësi nga ana e Kinës në rajonin e akullt polar, duke kaluar nga “thellësia e plotë detare” në “hapësirën e plotë detare”, gjë që tregon përmirësimin e vazhdueshëm të fuqisë shkencore e teknologjike të Kinës në hulumtimin në thellësitë detare.