Një aksident i zakonshëm rrugor ngjalli shqetësim të pa masë në Missipi të SHBA-së, dhe arsyeja ishte ngarkesa që kamioni në fjalë kishte me vete. Mjeti transportonte një grup majmunësh laboratori të cilët, siç shkruan The Guardian, me shumë gjasë ishin të sëmurë. Por që pas përplasjes së kamionit me një makinë të vogël në një autostradë ndërshtetërore atje, kafshët arritën të largohen e të shpërndahen nëpër zonë.
Njoftimin e bëri në Facebook departamenti i policisë së qarkut Jasper, i cili sqaroi po ashtu se majmunët që vinin nga Universiteti Tulane në New Orleans, Luiziana, ishin të infektuar me disa lloje viruse, përfshirë hepatitin C dhe Covid-19. “Majmunët peshojnë afërsisht 20 kg, janë agresivë ndaj njerëzve dhe kërkojnë trajtim të posacëm”, nënvizohet në njoftim, ku thuhet gjithashtu se kafshët paraqesnin rrezik potencial shëndetësor për njerëzit.
Zëdhënësi i Universitetit, Andrew Yawn, pretendon nga ana tjetër se gjitarët e përdorur në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Biomjekësore Tulane u ofrohen organizatave të tjera kërkimore për avancimin e zbulimeve shkencore, dhe sipas tij, nuk janë infektues. “ Ne po bashkëpunojmë në mënyrë aktive me autoritetet lokale dhe do të dërgojmë një ekip ekspertësh për kujdesin ndaj kafshëve për të ndihmuar sipas nevojës.”
Më vonë, zyrtarët e policisë lokale njoftuan se të gjithë majmunët me përjashtim të njërit janë eliminuar tashmë. “Ne po vazhdojmë të kërkojmë majmunin e vetëm që është ende i lirë”, shtuan ata.




















