Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij ka përfunduar tetë luftëra gjatë tetë muajve të fundit, ndërsa ndodhej në Malajzi për të marrë pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje mes Tajlandës dhe Kamboxhias.

“Ky është një nga tetë konfliktet që administrata ime ka përfunduar në vetëm tetë muaj – mesatarisht një në muaj. Ka mbetur vetëm një,” tha Trump gjatë ceremonisë në Kuala Lumpur, ku u nënshkrua marrëveshja e zgjeruar e armëpushimit midis dy vendeve aziatike.

Presidenti amerikan, i cili këtë verë ndihmoi në negociatat për ndalimin e luftimeve përgjatë kufirit Tajlandë–Kamboxhia, e quajti ditën “moment historik për paqen në rajon”.

“Ka pasur shumë gjakderdhje. Dhe ne e ndalëm atë shumë shpejt,” tha Trump, ndërsa kryeministrat Hun Manet i Kamboxhias dhe Anutin Charnvirakul i Tajlandës nënshkruan marrëveshjen.

Kryeministri kamboxhian Hun Manet e cilësoi nënshkrimin si “një ditë historike”, ndërsa homologu tajlandez theksoi se marrëveshja “krijon themelet për paqe të qëndrueshme”.
Sipas kushteve të marrëveshjes, Tajlanda do të lirojë 18 ushtarë kamboxhianë të kapur gjatë përleshjeve dhe të dyja palët do të fillojnë tërheqjen e armatimeve të rënda nga zona kufitare.

Presidenti Trump njoftoi gjithashtu se kishte firmosur marrëveshje ekonomike me të dy vendet dhe pritet të finalizojë një marrëveshje tregtare me Malajzinë gjatë ditës. Në kuadër të samitit të ASEAN-it, liderët rajonalë pritet të diskutojnë për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

Trump u prit me ceremoni zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuala Lumpur nga kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, ku mori pjesë edhe në një performancë tradicionale vallëzimi. Kuala Lumpur është ndalesa e parë e turneut të tij njëjavor në Azi, që përfshin gjithashtu Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Në margjinat e samitit të APEC-ut në Seul, pritet edhe një takim mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, ku sipas negociatorit amerikan Jamieson Greer, janë diskutuar çështje që lidhen me tregtinë dhe materialet e rralla minerale.

“Besoj se po arrijmë në një pikë ku liderët do të zhvillojnë një takim shumë produktiv,” u shpreh Greer.

Presidenti amerikan pritet të diskutojë gjithashtu për tarifat tregtare me presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, i cili po merr pjesë në samitin e APEC-ut.