Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë më 16 nëntor para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, në konferencë për media, tha se do të protestojnë për të kërkuar drejtësi dhe për t’ia përkujtuar institucioneve evropiane se kanë themeluar një gjykatë etnike mbi gënjeshtrat e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.
Gucati bëri thirrje për pjesëmarrje edhe të mërgatës shqiptare në këtë protestë, ndërsa tha se do t’ua dërgojnë nga një letër të gjithë anëtarëve të Parlamentit të KiE-së për t’ua dëshmuar padrejtësinë e Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët tash e pesë vjet po mbahen në Hagë nën akuzën “për krime lufte”.
“Arsyeja pse është zgjedhur ky vend, besoj e dini, sepse pikërisht në këtë vend, në Francë, në KiE është marrë vendim për një gjykatë të padrejtë që është bërë ndaj nesh. Është formuar një gjykatë e një etnie, ku vetëm shqiptarët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përndjek. Kjo është një arsye pse ne kemi vendosur të mbajmë protestë para parlamentit. Ju e dini, Dick Marty padrejtësisht i bindi anëtarët e atij parlamenti që të votojnë atë gjykatë të mjeruar”, tha Hysni Gucati.
Paraprakisht, veteranët kanë mbajtur protesta në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa, kur u pyet për mundësitë e organizimit të një proteste në Shkup, Gucati tha se për momentin e njëjta nuk do të mbahet për shkak të situatës politike atje. Ndërkaq, ritheksoi se nuk planifikojnë të organizojnë protestë as në Luginë të Preshevës.
Në Maqedoninë e Veriut për momentin jo. Janë duke u mbajtur zgjedhjet dhe kanë shkuar në balotazh. Nuk duam të shkojmë të mbajmë protesta në Shkup, ajo do të mbahet, por për momentin jo. Mund të dalë situata prej kontrollit, mund të ketë provokime.
Krahas kësaj, Gucati theksoi se dëshmia e ish-gjeneralit amerikan Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale.




















