Nga Mohammad Zarghami, Kian Sharifi, REL

Vetëm pak ditë pasi ekspertët e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut e dënuan “përshkallëzimin dramatik” të ekzekutimeve në Iran, Këshilli i Gardës, institucioni më i fuqishëm mbikëqyrës kushtetues në Iran, miratoi dënime edhe më të ashpra për spiunazh dhe bashkëpunim me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Një zëdhënës i Këshillit të Gardës e bëri të ditur vendimin më 1 tetor, pas muajsh diskutimesh me Parlamentin për ndryshimet ligjore.
Ky njoftim erdhi pak pas një raporti të një paneli të OKB-së, sipas të cilit autoritetet iraniane kanë ekzekutuar mbi 1.000 njerëz që nga fillimi i vitit. Sipas Amnesty International, kjo është shifra më e lartë në të paktën 15 vjet.

“Me një mesatare prej më shumë se nëntë varjesh në ditë gjatë javëve të fundit, Irani duket se po kryen ekzekutime në një shkallë industriale që bie ndesh me çdo standard të pranuar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, thanë ekspertët e OKB-së.

Paneli raportoi se 10 njerëz janë ekzekutuar këtë vit për akuza spiunazhi, tetë prej tyre pas 13 qershorit, kur Izraeli nisi një luftë 12-ditore kundër Iranit. Që nga publikimi i raportit më 29 shtator, Irani ekzekutoi edhe një individ tjetër të akuzuar për spiunazh për Izraelin.
Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi, tha se qëllimi kryesor i autoriteteve është të shfaqin “fytyrën e dhunshme” të Republikës Islamike.

“Ata duan ta frikësojnë publikun, që të mos shfrytëzojë dobësinë e pushtetit politik duke dalë në rrugë”, tha ajo për Radio Farda të Radios Evropa e Lirë (REL). Ebadi lëshoi një paralajmërim të ashpër, duke thënë se “jeta e njerëzve është kthyer në mjet për mbijetesën e pushtetit”.

Prej kur u prezantua projektligji në qershor, ekspertë ligjorë dhe grupe për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se formulimet e paqarta dhe dënimet e rënda rrezikojnë akuza arbitrare dhe ekzekutime masive, përfshirë për vepra që më herët kishin dënime më të lehta ose nuk klasifikoheshin si spiunazh.

Pas ndryshimeve përfundimtare, ligji i jep Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare (KSSK) autoritetin për t’i identifikuar “shtetet dhe grupet armiqësore”, ndërsa Ministria e Inteligjencës harton listën e “rrjeteve armiqësore”.

Çdo “aktivitet inteligjent, spiunazh ose veprim operacional” për këto entitete armiqësore dënohet me vdekje dhe konfiskim pasurie. Ligji i etiketon shprehimisht SHBA-në dhe Izraelin si “shtete armiqësore”, ndërsa KSSK-ja përcakton të tjerë.
Gjithashtu theksohet se, përveç dënimit me vdekje, për asnjë dënim tjetër nuk mund të bëhet ankesë.

Raporti i organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International thekson se gjykatat revolucionare, të cilat trajtojnë rastet lidhur me sigurinë kombëtare dhe drogën, nuk kanë pavarësi gjyqësore dhe shpesh japin dënime të rënda sikurse ai me vdekje pas “gjykimeve tmerrësisht të padrejta”. Ebadi argumentoi se dënime të ashpra si ai me vdekje nuk kanë arritur ta ndalin trafikun e drogës.

“Në vend të dënimeve çnjerëzore, autoritetet duhet t’i adresojnë shkaqet rrënjësore që e shtyjnë popullin të përfshihet në krime të tilla”, tha ajo, duke theksuar se këto dukuri lulëzojnë në zona të lëna pas dore dhe të pazhvilluara.

“Problemi qëndron te dështimi i pushtetit për t’i përmbushur përgjegjësitë e tij. Në vend të kësaj, përdor dënime çnjerëzore për të përhapur frikë”, tha Ebadi, e cila fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2003. Irani renditet i dyti në botë për ekzekutime vjetore, pas Kinës. Ebadi tha se Republika Islamike ka tentuar ta normalizojë dënimin me vdekje që kur erdhi në pushtet pas Revolucionit të vitit 1979, duke kryer edhe ekzekutime publike për ta ngulitur atë në kulturë.

“Njerëzit rreshtoheshin dhe sillnin edhe fëmijët e tyre”, kujton ajo për vitet e para. “Por, kjo nuk ndodh më”. Ajo theksoi se, për sa kohë ky regjim të jetë në pushtet, “nuk ka asnjë mundësi” që dënimi me vdekje të hiqet.

“Pra, nëse pyet se çfarë duhet bërë, do të thosha se duhet të punojmë për t’i dhënë fund Republikës Islamike”, përfundoi Ebadi.