Të dielën, Albin Kurti dështoi të zgjidhej si kryeministër i Kosovës edhe për një mandat tjetër. Tashmë radha kalon te një shumicë e dytë parlamentare ashtu siç parashihet me Kushtetutë dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Si hap i parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të thërras në takim partitë politike të përfaqësuara në kuvend për konsultime mbi mundësitë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se takimet e tilla duhet të reflektojnë mundësinë faktike për të siguruar shumicën e nevojshme prej 61 votave. Brenda një afati dhjetë ditor, Presidentja duhet të vendosë se kush do të jetë mandatari i dytë për formimin e qeverisë.

“Gjykata ka sqaruar se Presidenti i vendit nuk ka diskrecion të pakufizuar, por duhet të bazohet në kriterin e “gjasës më të madhe për të formuar Qeverinë”, pavarësisht nëse ajo parti është apo jo fituese (relative) e zgjedhjeve”, sqaron Cakolli.

Presidentja Osmani, mandatin mund të ia japë sërish Lëvizjes Vetëvendosje, nëse ajo deklaron gatishmëri dhe mundësi reale për shumicë. Por mund të ua jap edhe cilësdo parti tjetër që paraqet prova konkrete që ka shumicën parlamentare.

“Vlen të theksohet se nuk ka asnjë ndalesë mbi kandidatin individual në tentimin e dytë, pasi termi “kandidat tjetër” nënkupton vetëm raundin e dytë procedural, jo ndalimin që i njëjti kandidat të mandatohet përsëri”, ka sqaruar tutje Cakolli.
E në rast se asnjë prej partive politike nuk pranojnë të mandatohen, siç edhe kanë deklaruar gjatë së dielës, atëherë Presidentja, Vjosa Osmani, bazuar në Kushtetutë duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë e jo më vonë se 45 ditë. Sipas përllogaritjeve të afateve kohore zgjedhjet mund të mbahen më 30 nëntor, 7 dhjetor ose më së largu më 14 dhjetor.